Vendosni fjalën kyçe....

Thaçi vendos sot: Ka dy mundësi, ose qeveri të re ose zgjedhje


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi thotë se ekzistojnë dy mundësi pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi.

Njëra është që të shkohet në zgjedhje dhe tjetra është që të shmangen zgjedhjet për shkak të pandemisë.

“Janë dy mundësi, një që të shkohet në zgjedhje dhe tjetra është mundësia që unë e kam për obligim si president i vendit që të shmangen zgjedhjet në këto rrethana pandemie për krijimin e qeverisë  së re. Mundësinë e parë e ka partia e parë e pastaj të shohim. Pas mocionit më 25 mars vendi është në një gjendje të re politike dhe natyrisht në kuptimin procedural kushtetues të ri sa i përket themelimit të institucioneve. Ne kemi një qeveri të shkarkuar, në ikje apo largim. Për hapat vijues si presidenti i vendit do ta respektoj në tërësi Kushtetutën.”– është shprehur Thaçi në emisionin Pressing.

Ai ka folur edhe për atë se çfarë u diskutua në takimin me kryeministrin ende në detyrë, Albin Kurtin.

“Takimi i parë  me Kurtin është i karakterit procedural dhe juridik i presidentit me kryetarin e partisë së parë që të dëgjoj opinionin e tij  se a mund të krijojë ajo parti shumicën apo jo. Ky takim ka pasë karakter procedural dhe juridik., Nuk jam nga ata që bisedat që zhvillohen brenda ti prezantoj në studio televizive. Unë jam i obliguar të respektoj vullnetin e të gjithë njerëzve të Kosovës, dhe jo vetëm të një partie. U mbetet atyre që e kanë shumicën ta dëshmojnë këtë, por nëse nuk ndodhë kjo do të lëvizim në përputhje me praktikat”, thotë ai. 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot do të takohet me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Ai ka thënë se pas këtyre takimeve do ta bëjë të ditur qëndrimin e tij, nëse do të ketë qeveri të re apo zgjedhje të reja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *