Ka shkuar në 304 numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë me 27 raste të reja të konfirmuara vetëm në 24 orët e fundit.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë (3), Durrës (2), Fier (2), Kavajë (2), Lezhë (5), Mirditë (1) dhe Shkodër (12).
Siç shihet edhe në hartën e ilustruar, nga rastet e reja, Shkodra ka numrin më të lartë me plot 12 raste të tilla.
“Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren.”– tha zv.ministrja Mira Rakaçolli.
Sipas saj, kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë përsërit thirrjen që masat e distancimit social të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19./ Hashtag.al