Vendosni fjalën kyçe....

 Rama paralajmëron burg për ata që shkelin rregullat: Nga e hëna masa të reja kundër koronavirusit


Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për forcim të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

Ai thotë se ndaj qytetarëve që shkelin rregullat e distancimit social, e në veçanti kur dalin në tregje për të bërë pazar do të zbatohen masa të reja ndëshkimore, duke përfshirë edhe heqjen e lirisë. 

“ Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë!

Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve. Policia e shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore!

 Masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie!”– shkruan Rama.

Duke iu referuar numrit më të lartë të të infektuarve, Rama thotë se kryeqyteti është “vatra më e rrezikshme e luftës me koronavirusin.

“Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.”- shkruan Rama.

Kujtojmë se sot numri i personave të konfirmuar me koronavirusin ka shkuar në 333, ku Tirana mban rekordin me 157 prej tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *