Policia e Shtetit ka ndëshkuar gjatë 24 orëve të fundit 154 shtetas pasi nuk respektuan urdhrin për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Gjithashtu për 49 drejtues mjetesh janë hequr lejet e drejtimit dhe bllokuar mjetet.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 49 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi R. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte autorizim për lëvizje, por ishte duke drejtuar në gjendje të dehur, në masën 1.19 mg/l.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 154 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Gjithashtu, është ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 1 shtetas, pasi nuk ka zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 4 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.