Vendosni fjalën kyçe....

Si e shpartalloi shtetin Edi Rama


Të shpartalluar!

Ra kjo krizë dhe nxorri në shesh shpartallimin e shtetit shqiptar. Sidomos të bëhet edhe më i qartë rrënimi tek sheh ç’ndodh anës tjetër të kufirit, në shtetin vëlla më të ri, Kosovë.

Qeveria në detyrë miratoi zyrtarisht paketën e mbështetjes sociale dhe të ekonomisë nga pasojat e pandemisë.

Ne të vëllait më të madh, Shqipëri, ende nuk kemi një paketë të tillë zyrtare. Kemi komunikime kryeministrore në facebook; kemi shfaqje skype-ore apo zoom-ore qeveritarësh, po ende jo asgjë zyrtare.

Në shtetin vëlla më të ri, Kosovë, Gjykata Kushtetuese u shpreh për masat kufizuese të qeverisë në kuadër të krizës së pandemisë. Nuk është synimi të shprehemi se cili ka të drejtë atje, qeveria apo Gjykata Kushtetuese.

Ajo që zbulohet është që në situatë të ngjashme me vëllain më të madh, Shqipëri, cili institucion do të shprehet për të tilla masa, për ligjshmërinë e ndërhyrjes në marrëdhëniet kontraktore të palëve si me rastin e qirave, apo me urdhrin për nxjerrjen e mjeteve të ushtrisë në rrugë, etj., etj..

Pra, përsëri e themi ra kjo krizë dhe pamë që shteti shqiptar është formalisht dhe ligjërisht jo funksional. Dhe kur themi shteti nënkuptojme të gjithë institucionet e tij. I shohim me radhë.

  • Pushteti legjislativ, një nga tri shtyllat e mbajtjes në këmbë të demokracisë, veçanërisht në rastin e një demokracie parlamentare, është i mangët. Parlamenti ka 122 deputetë, nga 140 të përcaktuar me kushtetutë. Pra, nga ana sasiore është 13% i mangët. Nga ana e përmbajtjes nuk ka tagrin e përfaqësimit të opozitës, sa kohë që kjo e fundit iku dhe në vend të tyre kanë shkuar “deputetët zëvendësues”. Për anën cilësore nuk ka nevojë të diskutojmë më tej. Për më tepër, është prej disa kohësh në kërcënim për shpërndarje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, edhe pse ky kërcënim nuk para e gjen rrugën në Kushtetutë. Ndërkohë, Kuvendi vijon miratim ligjesh që heqin kompetenca të Presidentit, si psh., betimin para tij të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

 

  • Presidenti, nuk është një ndër tri shtyllat pushtetore që përcakton Kushtetuta, por shërben si një ndër trungjet mbajtës të ekuilibrave dhe kontrolleve institucionale. Presidenti nga ana sasiore nuk ka mangësi, është një dhe në detyrë, por në një proces shkarkimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Ende zvarritet një komision i Kuvendit që po merret me shkarkimin e Presidentit. Ndërsa Presidenti vijon të kthejë mbrapsht në Kuvendin që po e heton ligje të miratuara nga Kuvendi.

 

  •  Pushteti gjyqësor, një nga tri shtyllat e mbajtjes në këmbë të demokracisë, pushtet i pavotuar nga sovrani, por i emëruar, ka ndo ca vjet që është në reformim sipas një reforme që e votuan pa dallim të gjithë krahët politikë të parlamentit, para se parlamenti të bëhej i mangët. Por, si për ters ky pushtet u bë më i mangëti nga të gjithë. Edhe u dublua, edhe u skartua. Gjykata Kushtetuese për shumë kohë nuk ishte. Vetingu, mbarimet e mandateve dhe dorëheqjet e skartuan. I mbeti veç një gjyqtar. Filloi ashtu çalë – çalë të plotësohet, mes sherresh e kundërinterpretimesh të të njëjtave dispozita ligjore, me betime sa te Presidenti, sa te noteri i këmbëurës, por përsëri edhe sot Gjykata Kushtetuese nuk është në funksion. E meqë nuk është nuk ka institucion që të interpretojë ligjshmërinë e shumë vendimeve e veprimeve, sidomos të këtyre që po ndërmerren në këtë kohë lufte, siç e ka pagëzuar kryeministri ynë. Gjykata e Lartë nuk është në funksion. Po njësoj si Gjykata Kushtetuese u skartua e mbeti veç me një, i cili sot sipas kallëzimit të Presidentit si rregull po hetohet për shkelje. Gjykatat e apelit apo të shkallës së dytë janë mangët dhe marrin e japin hua gjyqtarë si në një lojë kazinoje. Prokuroritë dhe SPAK-u ia delegojnë njëri-tjetrit kompetencat hetimore, sidomos kur është fjala për rastet e hetimit të blerjes apo jo të votimeve, nga të cilat dalin këto pushtete. Gjithsesi, pushtei gjyqësor po na shfaqet një pushtet tepër zemërdhembshur për të liruar të dënuarit e krimeve të rënda, qoftë edhe me kosto të nisjes së proceseve disiplinore apo hetimore nga SPAK, KED, KLP apo KLD, a kushedi ç’shkurtime të tjera, gjithsesi asnjëherë të bitisura.

 

  • Pushteti ekzekutiv, shtylla e tretë e mbajtjes në këmbë të demokracisë, është futur në një regjim veprimi si në kohë lufte dhe qeveris me Facebook e platforma sociale, me vendime që tirren e tirren si pëlhura e Penelopës, që si i shpall mëngjesi nuk i gjen darka. Por është pushteti më aktiv për të nxjerrë në rrugë mjetet e ushtrisë (ende nuk dihet urdhërdhënësi), për të vënë oraret e liridaljes për qytetarët e paburgosur me vendim gjyqësor, kur të ndëshkuarit e krimeve të rënda lirohen me vendim gjyqësor, për të ndërhyrë në marrëdhëniet kontraktore mes palëve private por jo në marrëdhëniet tatimore mes shtetit dhe subjektit të vet, si dhe mbi të gjitha për të vijuar procedurat e prokurimeve. Vendime që askush nuk i sfidon dot sepse thjesht nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese. Megjithatë, edhe në këtë aktivitet intensiv ende nuk kemi një paketë të qartë e të zyrtarizuar për mbështetjen ekonomike e sociale të shtetasit dhe biznesit, si rrjedhojë e masave kufizuese të marra. Dhe kjo ndodh megjithëse qeveria de facto ka dy ministra Financash: një ministreshë Finance dhe Ekonomie, dhe një ministër që flet më shumë se ministresha për buxhetin dhe ekonominë, por që formalisht merret me fatkeqësitë që i ranë këtij vendi: tërmeti dhe virusi.

 

  • Pushteti vendor, një pjesë e shtyllës ekzekutive për mbajtjen në këmbë të demokracisë, po ashtu është mangët. Së pari, ky pushtet është njëngjyrësh dhe nuk është përfaqësues, duke cënuar në thelb natyrën e regjimit demokratik, që supozohet të ketë Shqipëria sipas Kushtetutës. Një pushtet i diskutueshëm ligjërisht, pasi doli nga një palë zgjedhje që u anuluan nga ai që caktoi datën, nga Presidenti, me një dekret që diskutohet, por që thjesht nuk ka Gjykatë Kushtetutese të shprehet. Pra, një pushtet ligjshmëria e të cilit mbetet varur deri sa të merret Gjykata Kushtetuese. Sikur të mos mjaftonte kjo, në tre qytete të vendit mungon dhe i shkreti kryetar i votuar, sepse ligji i dekriminalizimit i përjashtoi nga postet e fituara: Shkodra, e cila vijon të drejtohet pa një kryetar të zgjedhur por me një kryetar me mandat të përfunduar; Durrësi e Vora të cilët po drejtohen as me kryetar të zgjedhur e mandat të përfunduar, por me kryetarë zëvendësues të emëruar nga radhët e administratës. Madje, një kryetar i zgjedhur është në arrati, po e kërkojnë sipas vendimit të prokurorisë për ta arrestuar pasi kryetari kish fluturuar. Nuk e dimë ku po karantinohet ky kryetar. Ndërsa data e zgjedhjeve që shpalli Presidenti, sipas kompetencës që i jep Kushtetuta, 13 tetori 2019, nuk u mor seriozisht as nga pozita e as nga opozita, të cilat me sa duket janë më rehat pa zgjedhje. Prandaj, ndoshta për inat edhe Presidenti nuk lodhet të shpallë datë zgjedhjesh për këto tri bashki që drejtohen me të pazgjedhur.

Por nuk mbaron këtu shpartallimi i shtetit shqiptar. Nga një cen sa për të mos e prishur syrin e keq e kanë edhe një mori institucionesh të tjera, një pjesë institucione kushtetuese të rëndësishme:

  •  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i dha vetes kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, interpretoi vetë dekretin e presidentit dhe vendosi t’i mbajë zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

 

  • Kontrolli i Lartë i Shtetit u kthye si dhomë hoteli, ku bujtësi hyn e del sa herë të dojë. Kryetarit i mbaroi mandati. E la detyrën ca muaj, duke ia deleguar detyrën nënkryetarit, megjithëse të gjithë ligjet shqiptare t’i lexosh nuk gjen një të drejtë të tillë delegimi. Presidenti dërgoi tre kandidatë njëri pas tjetrit në Kuvend si propozimet e tij për kreun e KLSH-së, të cilat për mospërputhshmëri me kriteret ligjore Kuvendi ia rrëzoi. Në këtë zallamahi, kryetari i KLSH-së me mandat të përfunduar kthehet në detyrë, duke e rimarrë rolin pas dorëheqjes që dha nënkryetari që luante rolin e kryetarit (?!). Pra, dorëhiqet dikush nga vendi që nuk i takon dhe ai që nuk ka më mandat ia pranon dorëheqjen. Kryetari i KLSH-së nuk e la me kaq. Dha përsëri dorëheqje. Por vijon në detyrë. Ndërkohë i gjithë aktiviteti i KLSH-së nuk kuptohet se mbi ç’bazë ligjore ngrihet dhe funksionon, apo nuk punojnë e nuk marrin rrogat? Për shembull, nëse duam të dimë se çfarë bën KLSH-ja në një kohë lufte, si e përshtat veprimtarinë e vet me risqet e reja që janë shfaqur, a thua ka ndokush të drejtën ligjore t’i marrë këto vendime?!

 

  •  Banka e Shqipërisë ka një këshill 11% të mangët. Arben Malaj u shkarkua nga anëtar por Kuvendi nuk e zëvendësoi. Megjithatë, do thotë dikush nuk prish punë se janë 8 të tjerë në Këshill. Tani dhe pak punë prish se përndryshe ligji nuk kish pse e parashikonte me 9 vetë. Por, po e falim këtë mangësi. Kalojmë tek mandati i Guvernatorit, i cili u zgjodh në dhjetor 2014, pas lënies bosh të këtij posti nga ish-Guvernatori, si pasojë e skandalit të vjedhjes së thesarit. Po t’i lexosh pak mirë ligjet dhe Kushtetutën, mandati i Guvernatorit mbaronte në nëntor 2018. Megjithatë, në një interpretim identik, si të dalë nga mendja e dy vëllezërve siamezë, ish-kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Braçe, dhe juristi i spikatur të PD-së, Çlirim Gjata, e quajtën se mandati i guvernatorit nuk mbaron. Dhe guvernatori mbajti karrigen edhe më përtej, sepse nuk ka një Gjykatë Kushtetuese. Prandaj, nuk çuditemi që në një akt të pashembullt shkelje pavarësie të Bankës së Shqipërisë guvernatori i tanishëm i bashkëngjitet propagandës qeveritare dhe nënshkruan një vendim të përbashkët me Kryeministrin e vendit. Apo nuk guxon të dalë të shprehet për vlerësimet për pasojat e pandemisë në ekonominë e vendit dhe rrugët për ta kapërcyer atë, në përmbushje të detyrës ligjore që ka Banka e Shqipërisë. Por guvernatori do të dalë gjithmonë me kryeministrin.

 

  • Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në dukje një rregullator i vockël, që nuk është institucion kushtetues, por në fakt me shumë rëndësi për tregjet financiare. Për kujtesë mbulon tregun e sigurimeve, të fondeve të investimeve dhe të pensioneve. Këtu mund të themi se institucioni ka kaluar nga gjendja me mangësi në gjendjen e të metit. Nga 5 vetë që duhet të ketë Bordi i AMF-së, mungojnë 40% e tyre. Institucioni është në kushtet kur i mungon i gjithë drejtimi ekzekutiv. Nëndrejtori me mandat të mbaruar në dhjetor 2018 edhe sot e kësaj dite nuk është emëruar nga Kuvendi. Ministria e Financave ka çuar e ka marrë ca kandidatë, por Kuvendi ngeci. Nuk emëroi dot asnjë. Drejtori me mandat të mbaruar në dhjetor 2019 nuk mund të jetë më në zyrë nga data 24 mars 2020. Nuk e dimë nëse drejtori shkon në zyrë këto ditë, sepse gojët e liga thonë që AMF-ja ka mbyllur dhe zyrat, por një gjë dihet drejtori as nuk firmos dot, as nuk delegon dot firmë. Ai që do të bëhet drejtor, është aktualisht kryetar i bordit të AMF-së, edhe pse jo në përmbushje të kritereve ligjore, mund të shkojë në zyrën që ka në AMF, por nuk firmos dot si drejtor sa kohë Kuvendi nuk e ka emëruar drejtor. Ndërkohë tregjet financiare presin orientime dhe strategji, sidomos në këtë periudhën e pashembullt të krizës.

Prandaj vendi qeveriset nga Facebook e me mesazhe në Twitter. Nuk ka nevojë të kujdeset për respektimin e burokracisë shtetërore. Kryeministri është Mbreti. Madje Mbreti i padiskutueshëm, sepse në këtë shpartallim të institucioneve të shtetit shqiptar, opozita ka një mision më të rëndësishëm për ndjekur: pompist Qazimin që na doli dhe infermier. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *