Vendosni fjalën kyçe....

Administratorja e Albpetrol, Erjola Muka, thirret në Prokurori për 5 akuza


Administratorja e Përgjithshme e Albpetrol, Erjola Muka, pritet të përballet dy herë me Prokurorinë e Tiranës gjatë kësaj jave, për të dhënë shpjegime në dy hetime të nisura ndaj titullares së kompanisë shtetërore të naftës në Shqipëri.

Paraditen e së Martës, Muka pritet të japë shpjegime para prokurorëve, për një kallëzim kundër saj, lidhur me shpërdorimin e detyrës gjatë ushtrimit të funksionit të titullares.

Vetëm pak ditë më pas, në 14 Prill, Erjola Muka është thirrur në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë sqarime mbi kallëzimin e dy zyrtarëve të kompanisë, të cilët e akuzojnë për “ndërhyrje në rrjetin kompjuterik” dhe “hyrje e paautorizuar në rrjete kompjuterike”.

“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive kallëzimin e dy zyrtarëve të rëndësishëm të Albpetrol kundër Mukës, të cilët janë larguar nga puna në të njëjtën ditë që kanë konstatuar se në kompjuterat e tyre kishte pasur ndërhyrje të paligjshme.

Kallëzimi

Dy zyrtarët kallëzues janë emëruar në detyrat e tyre në Albpetrol, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte konstatuar një dëm prej rreth 2 milionë dollarë në aktivitetin e kompanisë së naftës.

Detyra e kallëzuesve ka qenë angazhimi përmirësimi i performancës së Albpetrol-it, me fokus mbikqyrjen e raporteve kontraktuale të kompanisë me subjekte të tjera, pikërisht në pikën ku kishte çaluar më shumë akiviteti.

Në mesin e muajit Shkurt 2020, dy punonjësit janë paraqitur në detyrë dhe kanë konstatuar se kompjuterat e tyre të punës ishin të paaksesueshëm.

Kanë njoftuar personat përgjegjës të Teknologjisë së Informacionit të kompanisë “Albpetrol”, të cilët, pasi kryen veprimet e tyre, arritën të rikthenin në funksion kompjuterat.

Nga verifikimi teknik, rezultoi se kompjuterat nuk ishin virusuar dhe se ndryshimi i kodit për t’u aksesuar në kompjuterat e tyre ishte kryer nga persona që kishin mundësi për të realizuar këto lloj ndërhyrjeje brenda institucionit.

Ndërhyrja në kompjuterat e kompanisë kryhet vetëm me Autorizimin e titullarit, në rastin konkret të Administratores Erjola Muka.

Shkarkimi

Vetëm pak orë pas këtij incidenti, dy punonjësit njoftohen se janë shkarkuar nga detyra. Pasi bashkuan të gjithë episodet e asaj dite, dy zyrtarët, tashmë të shkarkuar, krijuan dyshimet e forta se pas ndërhyrjes në kompjuterat e tyre qëndron titullarja e Albpetrolit.

Në këto kushte, ata kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, duke e akuzuar Mukën për veprat penale të “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, si dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Tashmë, rasti po ndiqet nga prokurorët e kryeqytetit, të cilët e kanë thirrur Erjola Mukën të japë shpjegimet e saj mbi kallëzimin e dy ish-zyrtarëve, por edhe për një rast tjetër, nën dyshimet për shpërdorim detyre në “Albpetrol”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *