Vendosni fjalën kyçe....

“Apple” prodhon pajisje mbrojtëse për mjekët


Kompania Apple ka nisur të krijojë pajisje mbrojtëse për fytyrën, për personelin mjekësor që po lufton me koronavirusin që ka vënë gjithë botën në vështirësi dhe ka ndryshuar stilin e jetesës të të gjithëve.

Shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook e dha lajmin përmes një postimi në Twitter.

Ai zbuloi se gjigandi i teknologjisë planifikon të bëjë më shumë se një milion mburoja për fytyrën në javë, të cilat do të dërgohen fillimisht tek punëtorët mjekësorë të SHBA-së dhe më pas do të shpërndahen globalisht.

Siç shkruan BBC, kompania më e njohur për telefonat dhe kompjuterët, gjithashtu ka siguruar 20 milion maska për fytyrën, të cilat po i dhuron në të gjithë botën për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Për shkak të pandemisë, duke nisur nga kompanitë e elektronikës e deri tek prodhuesit e makinave, kanë ndryshuar prodhimin për të ndihmuar në krijimin e pajisjeve mjekësore dhe furnizimin e tyre për spitalet në të gjithë botën.

“Kjo është një përpjekje me të vërtetë globale, dhe ne po punojmë vazhdimisht dhe ngushtë me qeveritë në të gjitha nivelet për të siguruar që këto të dhurohen në vendet me nevojë më të madhe”- tha Cook në një video të postuar në Twitter.

Apple ka angazhuar projektues, inxhinierë dhe furnitorë për të formuar, prodhuar dhe dërguar mburojat e fytyrës. Cook tha se dërgesa e parë e mburojave plastike të fytyrës, u dërgua javën e kaluar në disa spitale në Silicon Valley.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *