Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duke folur në emisionin “Real Story” në “News 24”, teksa u pyet se përse ai dhe qeveria kanë pasur fokus në Shkodër, deklaroi se janë parë tregjet në qytet, shumë prej të cilave i ka konsideruar “skandaloze”.
Lleshaj tha se do të shihet situata për të ndërhyrë në këto tregje, që ngjajnë tepër keq, në mes të rrugës.
“Unë do thosha se fokusi i qeverisë është drejtuar drejt Shkodrës, edhe sepse në Shkodër ka raste të shumta me koronavirus. Këto janë edhe pasojë e faktit se autoritetet atje nuk menaxhojnë situatën sic duhet. Ne kemi shkuar sot në Shkodër për të koordinuar të gjitha punët për masat që duhen marrë për këtë çështje.
Ne nuk lëmë asnjë përgjegjësi aty ku ajo nuk meriton të jetë. Nëse flasim për Shkodrën, kemi të ashtuquajtura pazare që janë turp t’i shohësh. Ishin si në Kandahar. Këto tregje duhen ndaluar edhe nëse nuk ka koronavirus. Ata tregje nuk duhet të lejohen nga Bashkia Shkodër. Nuk kemi rregulla sic duhet dhe duhet disiplinuar sjellja e qytetarëve. Autoritetet duhet të marrin masa për të mos funksionuar ata tregje, ku shitet peshk e të tjera mallra në rrugë. Kjo nuk mund të lejohet e nuk do lejohet”, tha Lleshaj.
Sandër Lleshaj theksoi se nuk ka asnjë diferencim mes trajtimit të Shkodrës dhe qyteteve të tjera të vendit.
“Nuk ka diferencim në qasje ndërmjet qyteteve. Që të ketë sukses skema, duhet bashkëpunim i të gjithëve. Duhet të bashkëpunojmë me autoritetet qendrore, vendore dhe qytetarët. Nuk ka trajtim ndryshe të Shkodrës. I kemi kushtuar më shumë vëmendje Shkodrës, sepse ka situatën problematike, për gjëra që duhet ti bëjë Bashkia e qytetit.
Kryetari i Bashkisë Tiranë ka ndërhyrë ne tregun makabër të Kombinatit dhe e ka rregulluar. Ndërsa, kryetarja e Bashkisë e Shkodrës nuk ka ndërhyrë në treg. Qytetarët kanë nevojë për drejtim”, u shpreh Lleshaj.