Opozita i ka kërkuar vazhdimit qeverisë që të rritë numrin e testimeve për koronavirusin, por kryeministri Edi Rama është përgjigjur sot me ironi, duke kujtuar momentin kur kreu i PD-së ngatërron shumëzimin e dy numrave.
Rama thotë se opozita nuk mundet dot të japë mend as për tabelën e shumëzimit, e jo më për rritjen e testimeve.
“PD s’mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit.Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7×7=42”- shkruan Rama.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e djeshme ashtu sikurse ka bërë edhe gjatë gjithë muajit mars, i bëri thirrje qeverisë që të bëjë sa më shumë testime në popullatë.
Ai tha se testimet shërbejnë për të shkëputur zinxhirin e transmetimit. Sipas Bashës, numri i ulët i testimeve fsheh të vërtetën e madje kushton jetë.