Vendosni fjalën kyçe....

5 viktima në 24 orët e fundit nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Pesë persona kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar në 26 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend. Dy nga viktimat janë nga Kumanova, një nga Labunishta e Strugës, një nga Çellopeku i Tetovës dhe një nga Shtipi.

Numri i të diagnostikuarve të rinj me COVID-19 brenda ditës së fundit është 29; prej tyre 15 në Shkup, 7 në Kumanovë, në Strugë dhe Kocan nga 3 dhe në Prilep 1 rast, teksa numri i përgjithshëm ka arritur në 599. Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup janë shtruar 67 pacientë, 6 mbahen në jetë me respiratorë, 12 janë në gjendje më të rëndë, ndërsa një gruaje lehonë nga Kumanova po ashtu i është përkeqësuar gjendja. Deri më tani rezultojnë 30 persona të shëruar nga sëmundja.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se deri tani janë testuar 5897 persona dhe tek një numër i vogël pacientësh është përsëritur testimi për COVID-19. Vetëm sot, e martë, janë bërë 386 teste. Z. Filipçe tha se pacientët të cilët po trajtohen me antibiotikë dhe ilaçin kundër malaries janë në gjendje të qëndrueshme.

Ministri me një ekip të shtabit për mbikëqyrjen e gjendjes me koronavirusin kanë vizituar spitalin e Kumanovës, ku ka pasur një shpërthim të virusit dhe një rritje të menjëhershme të të prekurve. Në këtë spital, 18 mjekë dhe personel mjekësor janë të prekur nga sëmundja. Ministri tha se përveç repartit të infektivit, të gjitha repartet e tjera funksionojnë normalisht në këtë spital.

Ministri Filipçe, i cili është doktor, kirurg me profesion, u bëri thirrje kolegëve të tij mjekë që të kenë kujdes, ta ruajnë veten, ndërsa qytetarëve që t’i respektojnë masat e lëvizjes dhe të distancimit social në mënyrë që t’i ruajnë mjekët dhe vetë sistemin shëndetësor.

Autoritetet shëndetësore vazhdojnë ta cilësojnë si ngritje lineare numrin e pacientëve të prekur me koronavirus, duke përjashtuar rastin e Kumanovës, ku këto ditë pati më shumë të prekur krahasuar me zonat tjera të vendit.

Masat shtrënguese janë ashpërsuar dhe nga e mërkura, ora e ndalim-qarkullimit do fillojë në 16:00 dhe do të jetë në fuqi deri në 5:00, ndërsa nga e premtja në orën 16:00 ndalohet lëvizja e njerëzve gjatë gjithë fundjavës, deri të hënën në orën 5:00. Ndërkohë, të moshuarit prej 67 vjeç e më tepër gjatë ditëve të punës kanë vetëm dy orë në dispozicion dhe atë nga 10:00 deri në 12:00, ndërsa të rinjtë e moshës deri 18 vjeç do të mund të dalin vetëm ndërmjet orëve 13:00 dhe 15:00.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *