Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se u ka kërkuar së fundmi shoqërive të sigurimit të pezullojnë procedurat e shpërndarjes së dividendit.
Masa e njoftuar nga AMF vjen në kushtet e situatës së krijuar nga koronavirusi dhe sipas rekomandimeve të Autoritetit Europian të Sigurimeve kërkohet ruajtje e likujditetit dhe treguesve financiarë në tregjet në mbikqyrje.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke ndjekur me kujdes të veçantë të gjitha zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrje, që lidhen me situatën e krijuar nga Covid-19.
Në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve,(EIOPA), si edhe rregullatorëve të tjerë homologë, AMF u kërkon shoqërive të sigurimit, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar me qëllim ruajtjen e likuiditetit dhe treguesit e tyre financiarë.
Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe tregut të sigurimeve, Autoriteti u kërkon shoqërive të sigurimit pezullimin e çdo procedure për shpërndarje dividendi, pezullimin e paradhënieve për aksionerët e shoqërive, si edhe një qasje të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë.
AMF mbetet e angazhuar për një mbikëqyrje efektive në funksion të mbrojtjes së personave të siguruar dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.” njoftoi AMF.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor