Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti do ndalojë të gjitha tubimet gjatë Ramazanit për shkak të koronavirusit


Egjipti do t’i ndalojë të gjitha tubimet fetare gjatë Muajit të Ramazanit, i cili nis pas rreth dy javësh, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Gjatë këtij muaji, myslimanët zakonisht e prishin agjërimin në perëndim të diellit, pastaj shkojnë në xhami për t’u lutur dhe kalojnë kohë me të afërmit.

Por, pas rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë për distancim fizik gjatë pandemisë së koronavirusit, Egjipti do t’i ndalojë të gjitha tubimet dhe iftaret publike, ashtu si edhe aktivitetet kolektive sociale, tha përmes një deklarate Ministria e Çështjeve Islame e Egjiptit.

Iftaret masive zakonisht organizohen për njerëzit e varfër. Egjipti aktualisht ka mbi 1,300 njerëz të infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 250 pacientë kanë humbur jetën.

Ramazani do të nisë rreth datës 23 prill, varësisht pozitës së Hënës. Muajin e kaluar, Egjipti ka urdhëruar xhamitë dhe kishat t’i mbyllin dyert për besimtarët, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Lutjet transmetohen përmes altoparlantëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *