Vendosni fjalën kyçe....

Me Boris Johnson-in në kujdes intensiv, kush është Dominic Raab që do kryejë detyrat e liderit britanik


Ministri i jashtëm britanik, Dominic Raab, është caktuar të marrë përsipër udhëheqjen e vendit nëse kryeministri Boris Johnson, i cili ndodhet në kujdes intensiv në spital, nuk është në gjendje të luajë rolin e tij.

Sipas ministrave të tij, Johnson është ende duke e udhëhequr qeverinë, por Raab u paraqit në vend të tij në mbledhjen e së hënës të komitetit të përgjigjes ndaj COVID-19.

Por kush është Dominic Raab?

Ministri 46-vjeçar garoi kundër Johnson-it për t’u bërë udhëheqës i Partisë Konservatore dhe kryeministër në vitin 2019.  Por Raab u eliminua në mes të garës dhe më pas u miratua Johnson.

Kur Johnson erdhi në detyrë në muajin korrik, ai e emëroi Raab si ministër të jashtëm.

Raab është një euroskeptik i ashpër, i cili ka bërë një fushatë të gjatë për Britaninë për t’u larguar nga BE-ja.

Siç shkruan Reuters, Raab është djali i një refugjati hebre të lindur në Çeki, i cili shpëtoi nga nazistët në vitin 1938. Raab u rrit në rajonin jugor anglez të Buckinghamshire dhe studioi për drejtësi në Universitetin e Oksfordit, para se të bëhej avokat dhe nisi të punonte në financimin e projekteve, çështjet ndërkombëtare dhe ligjin e konkurrencës.

Para se të hynte në parlament në vitin 2010, Raab ka punuar për shërbimin diplomatik të Britanisë, përfshirë një detyrë që iu caktua në Hagë, ku punoi për sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë. Ai gjithashtu këshilloi qeverinë për konfliktin arabo-izraelit dhe kundër terrorizmit.

Raab i cili ka edhe një rrip të zi në karate, shërbeu për pak kohë si ministër i Brexit-it nën kryeministren e atëhershme Theresa May. Por më pas e la detyrën në shenjë proteste për marrëveshjen që ajo propozonte për largimin nga BE-ja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *