Vendosni fjalën kyçe....

Meta në Lezhë: Falë mjekëve kemi çdo gjë të stabilizuar, të mbahet çdo premtim për ta


Presidenti i vendit, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim në Lezhë me prefektin Gjok Jaku. Atje ai foli për shpërblimin e mjekëve në urgjencën e Lezhës, të cilët morën 5 mijë lekë të reja dhe jo 500-1000 euro siç kishte premtuar qeveria.

Meta tha se nuk kishte informacion të plotë lidhur me situatën me shpërblimin mujor të mjekëve dhe infermierëve që trajtonin të sëmurët me COVID-19.

Në lidhje me shpërblimin mujor të mjekëve dhe infermierëve që trajtonin të sëmurët me COVID 19, Presidenti Meta tha: “Sa i takon shpërblimit të mjekëve dua të them se nuk kam informacion të plotë për situatën por dua të përshëndes mjekët dhe infermierë të Lezhës që vazhdojnë të jenë në krye të detyrës sepse falë tyre kemi gjendje të stabilizuar në Lezhë dhe mendoj se cdo premtim për ta do të mbahet”.

Meta u kërkoi institucioneve që të bëjnë përpjekje të mëdha për tejkalimin e situatës së vështirë dhe bëri thirrje për sa më shumë bashkëpunim me qytetarët.

 “Vlerësoj punën dhe angazhimin e prefektit në këtë situatë, është bërë një punë e mirë si masë parandaluese. Duhet të bëhen përpjekje të mëdha nga të gjithë institucionet për tejkalimin e situatës.
Sa i takon masave të marra nga qeveria, Presidenti tha se “është bërë përpjekje dhe e rëndësishme është të ketë frymë më të madhe bashkëpunimi mes të gjithë autoriteteve dhe qytetarëve.
Sa u takon emigrantëve të mbetur në kufi, ai ka theksuar se “duhet të merren masa për të realizuar karantinimin e tyre, por apelojmë që të evitohet lëvizja në këtë periudhë. Duhet të bëhet cdo përpjekje për t’i ndihmuar ata”- tha Meta.

Infermierët dhe mjekët e Urgjencës në Lezhë protestuan mëngjesin e sotëm, për shkak të shpërblimit të premtuar nga kryeministri Edi Rama.

Mesa duket, shpërblimi i premtuar prej 500-1000 eurosh nga qeveria për bluzat e bardha në vijën e zjarrit me COVID-19, do të jetë i dedikuar vetëm për spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” dhe jo për spitalet rajonale.

Këto të fundit do të marrin vetëm një shpërblim simbolik prej 5 mijë lekësh. Por ata e kanë refuzuar këtë shpërblim dhe kanë kërkuar që t’i dërgohet familjeve në nevojë. Për këtë firmosën dhe një peticion.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *