Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka folur në lidhje me situatën në Shkodër, ku numri i të infektuarve ditën e djeshme në këtë bashki ka shkuar në 44.
Në një lidhje me Skype me emisionin “360gradë”, Ademi tha se janë dy vatra të koronavirusit në Shkodër. Bëhet fjalë për 2 rrethe familjare dhe sipas saj, çështja është shqetësuese pasi nuk po testohen të gjithë anëtarët.
“Në Shkodër situata është e tillë që ka një numër të shtuar në dy familje dhe problematika është që numri i rasteve është shtuar në këto dy vatra.
Nuk di të them më shumë, por situata është që në këto dy familje kemi një numër të shtuar të atyre që janë të infektuar dhe ky është një nga problemet që ka dalë rishtazi në Shkodër dhe po bëhet shqetësues sepse ka një javë që nuk po arrihen të diagnostifikohen të gjithë anëtarët e familjeve. Ka një numër shumë të vogël testesh se sa kërkohet. Nuk kam informacion zyrtar dhe problematika është e tillë që numri i shtuar i testimeve kërkohet medoemos.”- tha Ademi.