Vendosni fjalën kyçe....

“Boris Johnson e meriton koronavirusin”- kryebashkiakja britanike kërkon falje për deklaratën


Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ndodhet në kujdes intensiv në spital duke luftuar për jetën, pasi është infektuar nga koronavirusi. Por për një kryebashkiake, ai e ka merituar të gjithë këtë.

Siç shkruan “The Guardian”, kryetarja e Komunës së Heanor në Derbyshire, tha se Johnson është kryeministri më i keq që britanikët kanë patur ndonjëherë.

 “Më falni, por ai e meriton plotësisht këtë dhe është një ndër kryeministrat më të këqij që kemi pasur ndonjëherë”, ka shkruar Sheila Oakes në një koment në “Facebook”.

Por pas kritikave të shumta që mori në rrjet, Oakes u detyrua të kërkojë falje. Ajo tha për BBC, se i vinte keq për mërzitjen që u ka shkaktuar njerëzve me fjalët e saj.

 “Unë nuk mendoja se ato që thashë do të mërzisin kaq shumë njerëz. Ajo që thash ishte diçka jo e këndshme për t’u thënë. Unë jam e shqetësuar për infermierët dhe mjekët që nuk kanë pajisje mbrojtëse . Thashë diçka sepse isha e zemëruar, pa menduar për kryeministrin ose familjen e tij.”– tha Oakes.

Ndërkohë organet e drejtësisë kanë nisur një hetim lidhur me komentet që kryetarja e komunës ka bërë në rrjet.

 “Kjo sjellje është plotësisht e papranueshme dhe nuk është ajo për të cilën është krijuar Partia e Punës“, tha drejtuesi i grupit të Punës në Amber Valley, Chris Emmas-Williams.

“Unë nuk i kam bërë komentet, por ndjehem si udhëheqës i grupit të Punës, gjithashtu duhet t’i kërkoj falje edhe Boris Johnson dhe familjes së tij dhe i urojmë shërim të shpejtë, sepse ne kemi nevojë për të gjithë për të luftuar këtë sëmundje”, vijoi ai.

Kujtojmë se kryeministri Boris Johnson u shtrua në spitalin e “St Thomas” në Londër të dielën, pasi simptomat e koronavirusit nuk i ishin larguar gjatë izolimit në shtëpi. Ai oishte konfirmuar me COVID-19, 10 ditë më parë.

Mirëpo një ditë pas shtrimit në spital, Johnson u zhvendos në kujdesin intensiv pasi gjendja e tij u përkeqësua. Sipas të dhënave të kabinetit qeveritar britanik, pranohet se kryeministrit i është dhënë oksigjen, por thuhet se ai po merr frymë vetë pa ndihmën e një respiratori.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *