Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson kalon natën e dytë në kujdes intensiv


Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka kaluar një natë të dytë në kujdes intensiv dhe të tretën natë i shtruar në spital, pasi vazhdon të trajtohet për koronavirusin.

BBC shkruan se kryeministri po mbahet në Spitalin St Thomas në Londër “për një monitorim të afërt”.

Zëdhënësi i tij tha se gjendja e Johnson është “e qëndrueshme” .

Ministri i Jashtëm Dominic Raab, i cili është caktuar të kryejë edhe detyrat e kryeministrit, thotë se ai është “i sigurt” që Johnson do të shërohet nga kjo sëmundje, duke e përshkruar atë si një “luftëtar”.

Ai tha se Johnson po merr trajtim standard me oksigjen dhe po merrte frymë pa ndihmën e ndonjë respiratori.

Ndërkohë Daily Mail duke iu referuar disa ekspertëve, shkruan se kryeministri nuk duhet të punojë së paku deri në fund të muajit, madje paralajmerojnë një verë të gjatë përpara për të.

Sipas tyre, Johnson do të humbasë forcë dhe masë muskulare nga sëmundja dhe trajtimi, siç ka ndodhur me të gjithë të prekurit e tjerë, e për pasojë do t’i duhet të pushojë gjatë gjithë verës.

Kryeministri u shtrua në spitalin Shën Thomas të dielën, me këshillën e mjekut të tij, pasi vazhdoi të kishte kollë dhe temperaturë të lartë edhe 10 ditë pas testimit pozitiv për virusin.

Ministri Raab tha që kryeministri po monitorohej nga afër në kujdesin kritik, siç ishte praktika e zakonshme klinike. Ai e përshkruan Johnson-in si jo vetëm si një shef por edhe “një mik”.

“Të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me kryeministrin në këtë kohë, me të fejuarën e tij Carrie-n dhe me gjithë familjen e tij. Dhe unë jam i bindur që ai do të kthehet, sepse nëse ka një gjë që di për këtë kryeministër, është se ai është një luftëtar. Dhe ai do të kthehet në krye, duke na udhëhequr në këtë krizë brenda një kohe të shkurtër”.- thotë 
Raab.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *