Vendosni fjalën kyçe....

Kush e paralizon Erion Veliajn


Nga Elida Domi

A ju ka marë malli për Lali Erin, kryebashkiakun tonë pozitiv e punë plot apo keni ndjerë edhe ju paralizën e tij të urdhëruar në këto javë karantine? Përveçse si shpërndarës ndihmash, asgjë tjetër nuk na ka mbetur në mendje nga roli e puna e tij këto ditë lufte me virusin e padukshëm.

Ndërkohë që mediat e fqinjëve tanë italianë  gëlonin nga deklaratat e kryebashkiakëve të secilit qytet, punës në terren për të dezinfektuar, sensibilizuar, dy javët e para të izolimit, Erion Veliaj çdo ditë e me më shumë dhimbje, postonte video këngëtarësh, ish-ministresh, mjekësh e natyrisht drejtoreshash të tij duke gatuar.

Busulla e vetme e orientimit ishte Kryeministri i vendit me daljet live, apelin e vazhdueshëm për kujdes e masat drastike të karantinës. Lali nuk u lejua as të inspektonte tregun te Brryli, për të cilin vetë Rama u kujdes ta vizitonte live, ndonëse nuk i takonte aspak për sa kohe tregjet monitorohen e kontrollohen nga pushteti lokal. Ky ishte një mesazh i qartë për Tiranën e Lalit.  

U desh sërish Kryeministri t’i tërhiqte veshin, për  turmat e qytetarëve në Kombinat që Bashkia të niste të merrte masa në tregje diku nga fundi i marsit, me vijëzime e policë, ndërkohë që puna kryesore e një bashkie ishte një plan masash i menjëhershëm, plan të cilin Erion Veliaj nuk pati kohë ta mendojë, i mësuar  me parimin se të drejtosh një qytet duhet me doemos të bësh pak show personal, me gjyshërit, fëmijët romë, gratë dhe pensionistët.

Kësaj here show-n ia kishin vjedhur me mjaft mjeshtëri, por për ata që dinë të lexojnë përtej kronikave të tij të blera, kjo është një taktikë tejet inteligjente për ta sfumuar, madje madje, më shumë, për ta shpuar si një tullumbace të fryrë, Lalin, i cili ka punuar fort të jetë i dashur për të gjithë. Këtë mund ta bëjë vetëm një individ i cili e njeh më mirë se ai spektaklin dhe peshën e propagandës në ngritjen e imazhit të një figure publike e politike.

Teksa kurba e krediteve të Ramës u ngrit fuqishëm në 4 javë, besimi i qytetarëve tek masat e tij u shtuan, Lali, ai që mban çelësat e kryeqytetit me 1 milion banorë, pësoi rënie të lirë. Mjafton të vizitosh profilin e tij në rrjetet sociale për të kuptuar dështimin e plotë të punës së një kryebashkiaku, aq sa edhe numri i atyre që ja shohin videot e fotot është përgjysmuar. 

Në 4 javë karantine, figura e Lalit është bërë një meme e dashur si shpërndarës ndihmash, më disa gjyshe që sërish lavdërojnë Ramën nëpër video dhe është kujdesur që tek secila nga këto dalje të përmendi me emër të përveçëm kryeministrin.

Paraliza e urdhëruar e Lali Erit nga  shumë prej nesh që nuk i besojmë as fytyrës së tij shtirake, as blerjes që i ka bërë medias, në fakt ngjan më tepër me një kambanë që atij i kumbon në kokë, për dështimin e planit dhe rrugës që po shtronte për të qenë kryeministri i ardhshëm, duke ndjekur të njëjtën linjë si ai, Brandi më i njohur që sot drejton Shqipërinë: Edi Rama.

Por, ajo që nuk kishte parashikuar Lali, ndër të tjera është se dozat e origjinialitetit të liderit të tij, kanë qenë shumë më të larta, autoritarizmi i tij është betonuar vite më parë, arti i të bërit politikë me fasada në Shqipëri është pikturuar prej tij, ashtu sikurse me një “Klik” të vetëm ai mund të zgjohet në mëngjes për ta nxjerrë Lalin energjik jashtë loje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *