SHBA ka regjistruar dje numrin më të lartë deri më tani në të gjithë botën, të vdekjeve nga koronavirusi brenda 24 orësh.
Të martën kanë humbur jetën 1.736 njerëz, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend në 12.722, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Siç shkruan BBC, SHBA-të kanë më shumë se 398,000 raste të konfirmuara me koronavirus deri më tani, i cili është dhe numri më i lartë në botë. Rastet globale kanë tejkaluar 1.4 milion.
Gjatë një konference për shtyp, presidenti Donald Trump tha se SHBA-të mund të jenë duke arritur në majën e “kurbës“.
Ndërkohë qyteti i Wuhanit në Kinë, ku shfaqet për herë të parë infeksioni, i dha fund bllokimit të tij 11-javor.
Një pjesë e madhe e vdekjeve të regjistruara ditën e djeshme ishin nga shteti i New York-ut. I konsideruar si epiqendra e shpërthimit në SHBA, New York regjistroi 731 vdekje të martën.
Guvernatori Andrew Cuomo tha që shteti dukej se po i afrohej majës së pandemisë, ndërsa shton se shtrimet në spital dhe kujdes intensiv ishin ulur.