Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili është një nga mjekët që është infektuar nga koronavirusi, thotë se tanimë po shkon drejt shërimit.
Në një intervistë në programin “Real Story”, Brataj tregon se si në fillim pati vetëm këputje dhe më pas nisi temperatura, që për të ishte më sfilitëse.
“Patjetër janë simptoma të sëmundjes. Shërimi i plotë është kur zhduken simptomat. Shumë herë privatësia e çdonjërit nga ne është personale por unë nuk mund ta mbaj dot për vete sepse kam pasur një mbështetje që nuk e prisja. Nuk e prisja që njerëzit të ishin kaq të ndjeshëm dhe kaq solidarë. Veç sëmundjes kam dhe fatin që po shërohem 100%. Nuk ka ngelur media apo gazetar që nuk më ka uruar apo dërguar një mesazh. Në datë 18 ose 19 dhashë një intervistë në Skype tek News24 dhe të gjithë më thoshin që dukeshe shumë i lodhur. Ditët e para ishte një këputje, një lodhje. Po thosha hë mo lodhje. Pas dy ditësh shpërtheu temperatura, ethe, dhimbje, kollë, një gjendje e padurueshme e organizmit, sikur të kanë goditur të kanë rrahur. Një ‘mal esere ‘e përgjithshme. Nuk rrije dot ulur, nuk rrije dot shtrirë, por fuqi nuk kishe që të lëvizje. Temperatura ishte më sfilitëse”, tregoi ai.
Brataj mes të tjerash foli dhe për ambulancat që janë në dispozicion të qytetarëve dhe thirrjet e qytetarëve për ndihmë.
“Sot janë 120 ambulanca që janë duke punuar, kemi spitalet në dispozicion të plotë. Janë mbi 1000 e ca vetë që edhe natën kujdesen për pacientët. Doja të përshëndes të gjithë bluzat e bardha. Mjekët janë krenaria e momentit. Sot u mor vesh se cfarë janë bluzat e bardha, të gjithë ata që rrezikojnë jetën për të na bërë jetën tona më të mire. Sot janë 3600 thirrje në ditë, 3 herë më pak se më 10 mars. 1200 janë për koronavirusin, jo thirrje për të sëmurë por kërkojnë informacion”, tha Brataj.