Ndërsa vendi i tij është kthyer në epiqendrën e koronavirusit në botë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka sulmuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke thënë se ka dhënë këshilla të gabuara për pandeminë e madje kërcënoi edhe frenimin e fondeve.
“Ata na kanë bërë një lojë mjaft të keqe duke kërkuar … në lidhje me ne, ata po marrin shumë zemërim sepse nuk donin që kufijtë të mbyllen, ata e quajtën të gabuar këtë. Ata me të vërtetë e quajtën çdo aspekt të mbylljes së kufijve si diçka të gabuar”– tha Trump në një konferencë shtypi, nga Shtëpia e Bardhë.
Madje ai shton se për fat të mirë ai nuk ja dëgjoi OBSH-së rekomandimin e gabuar për të mbajur hapur kufijtë.
“Shikoni, merrini hap pas hapi. Ata thanë se nuk ka ndonjë gjë të madhe, nuk ka asnjë problem të madh. Nuk ka asgjë, dhe më në fund kur i mbylla kufijtë, ata thanë se kam bërë gabim por doli të ishte e drejtë”- tha Trump, duke iu referuar kufizimeve të udhëtimit që ai vendosi më 31 janar .
Siç shkruan CNBC, Trump tha se po mendon të ndërpresë fondet për OBSH-në, për këto arsye.
“Ne do t’i lëmë në pritje paratë e harxhuara për OBSH-në. Ne do të shohim nëse do t’i ndërpresim fare sepse e dini se çfarë, ata e quajtën të gabuar.”– tha presidenti amerikan.
Trump thotë se OBSH e cila financohet kryesisht nga SHBA-të ende përqëndrohet në Kinë, vendi nga ku lindi dhe u përhap COVID-19 por që tani luftën e ka fituar.
“OBSH-ja vërtet ka gabuar. Për disa arsye e financuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, ajo mbetet e përqendruar në Kinë. Këtë do ta rishikojmë mirë. Për fat të mirë, unë e kam refuzuar këshillën e saj për t’i mbajtur kufijtë hapur me Kinën. Përse na e kanë dhënë një rekomandim aq të gabuar?”, shkroi më vonë Trump në një postim në Twitter.