Nga Holta Heba
Po jetojmë në një periudhë izolimi global. Periudhë e vështirë për mbarë njerëzimin, i cili është mësuar të bëjë jetë sociale, duke shijuar çdo mundësi të natyrës dhe të krijimtarisë njerëzore të trashëguar ndër breza.
Jemi të detyruar të jetojmë në distancim social, si e vetmja mënyrë për të shmangur përhapjen e Covid 19. Në të tilla raste, mediat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit po shihen si i vetmi mjet ndërlidhës i qarkut të socializimit.
Këto media janë vënë në shërbim të njerëzimit, në mënyrë që të vazhdohet zinxhiri i ndërveprimit social. Implikimet parësore të mediave janë ato të marrëdhënieve njerëzore në jetën e përditshme, ekonomisë, politikës, mbarë shoqërisë dhe kulturës në përgjithësi.
Mediat tradicionale dhe ato online janë të vendosura tashmë në kontekste shoqërore të caktuara dhe përdoren gjerësisht për të përcjellë informacion si dhe për të zhvilluar praktika të ndryshme të komunikimit mes individëve.
Në ditët e sotme, marrëdhëniet shoqërore dhe format organizative të tyre janë tërësisht të ndërvarura nga pajisjet e mediave si dhe nga praktika komunikuese e përdorimit të tyre. Mënyra e komunikimit të mbarë globit është në varësi të kontekstit shoqëror, politik, ekonomik, kulturor dhe historik.
Është fakt i dukshëm se mediat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë prekur formimin dhe zhvillimin e individit. Gjithashtu është mëse e qartë se jo të gjithë individët i përdorin këto media në të njëjtën mënyrë.
Disa njerëz janë përdorues më aktivë të mediave online, dhe disa të tjerë janë më të dhënë pas mediave tradicionale. Deri para se të shfaqej kjo pandemi, e cila erdhi papritur, ashtu sic dijnë të vijnë armiqtë e padukshëm, dukej se kishte një ndarje të madhe midis atyre që përdornin mediat tradicionale dhe atyre që përdornim mediat online për tejçim të informacionit dhe ndërlidhjes me botën në përgjithësi.
Pandemia nuk pyeti dhe zaptoi gjithë botën brenda një kohe shumë të shkurtër. Me shfaqjen e Covid 19, në mënyrë që të mos humbiste ndërlidhja njerëzore, si dhe për t’i rezistuar fort ndarjes njerëzore që kërkon të shkaktojë virusi, njerëzimi gjeti mbështetje dhe zgjidhje nëpërmjet komunikimin online.
Aty ku u duk se çdo gjë stopoi për shkak të pandemisë, pikërisht aty lindi nevoja njerëzore për të qenë më të shumtë në numër në përdorimin e mediave online, si rrugë e vetme komunikimi duke respektuar distancimin social.
Në këto ditë karantinimi, kudogjendja e teknologjive të informacionit po ndihmon në vazhdimësinë e komunikimit, në minimalizimin e kolapsit ekonomik si dhe në mbështetjen e jetës së njerëzve.
Përdorimi i mediave në këto kushte mbërthimi nga virusi mbetet si një mbështetje për të mos shkëputur ndëraktivitetin njerëzor, nisur kjo ndoshta nga karakteri i tyre i menjëhershëm, nga gjithëpërfshirja, si dhe nga drejtimet e shumëfishta të komunikimit, duke krijuar kështu një përvojë të re dhe të vlefshme për sa i përket hapësirës dhe kohës.
Kur ndalemi në aspektin ekonomik, kuptohet se media luan një rol thelbësor në përçimin e mesazhit për të kapërcyer të gjitha pengesat dhe për të minimizuar goditjet ekonomike qe bota duhet të përballojë si pasojë e pandemisë.
Në këto ditë, mbarë ekonomia botërore ndihet e cënuar nga Covid 19 dhe ekonomistët kudo nëpër botë po përcjellin nëpërmjet medias mesazhet se pasojat do të jenë të dukshme dhe të prekshme. Media po transmeton mesazhin e kohërave të vështira që po kalon dhe që do të kalojë mbarë globi, në varësi të zgjatjes së kësaj pandemie.
Ajo po ushqen me informacion drejtuesit e shteteve, në mënyrë që këta të fundit, në varësi të rezervave dhe mundësive financiare, të mund të ngrenë strukturat e nevojshme për kapërcimin e kësaj krize me sa më pak dëme dhe me borxh publik sa më të vogël.
Ekspertët po shprehen në media të shkruar dhe virtuale se sektore të rëndësishëm dhe jetësorë po goditen nga masat shtrënguese që po merren si pasojë e pandemisë. Bizneset po rrezikojnë të dështojnë, ndaj u duhen planveprime të mirëmenduara nga Qeveria.
Gjithë këto shkembime informacioni për zgjidhjen më të mirë po realizohen nga mediume që deri dje për dikë ishin të panjohur, dhe për dikë tepër të dëmshëm. Bizneset e vogla dhe të mëdha po mësohen të përdorin si mjet komunikimi mediat tradicionale dhe online, në mënyrë që t’i mbijetojnë situatës së pandemisë, dhe pas disa kohësh të mund të dëshmojnë se i kanë shërbyer njerëzimit dhe vërtet kanë ditur të marketojnë e të shesin produktet e tyre si dhe të menaxhojnë gjithë situatën në tërësi.
Ekonomistët dhe financierët po përçojnë shqetësimet dhe problematikat e situatës tek drejtuesit e vendeve dhe mbarë opinioni publik, në mënyrë që të gjenden mekanizmat e dukur që kjo situatë të kalojë me sa më pak mangësi në arkën e shtetit.
Bota nuk paska ngrirë pra! Nëpërmjet mediave, njohuritë e ekspertëve ekonomikë, strategjitë dhe planet e mirëmenduara ekonomike, si dhe idetë për masave të duhura për një shëndet të plotë të biznesit po përçohen nga mesazhdhënsi i cënuar tek mesazhmarrësi që duhet të përllogarisë potencialet për kapërcimin e krizës.
Mediat tradicionale dhe online kanë zënë një vend të rëndësishëm duke sjelle pranë nesh jetën anticovid në këto ditë karantimi. Aty ku duket se gjithçka ka ngrirë, është pikërisht media me tërësinë e saj që bën të mundur moskarantinimin e komunikimit dhe informacionit.
Sikur të mos ishte ky element kaq i domosdoshëm në këto ditë të vështira, syri dhe mendja njerëzore do të qëndronte në terr, duke pritur me ankth fundin e shpresuar nga të gjithë.
Para se të shfaqej Covid 19, përdorimi i tepruar i medias është parë si një faktor tepër i dëmshmëm për shëndetin mendor, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët, si konsumatorë më të shumtë në numër të mediave online.
Gjithnjë i kemi kritikuar ata për përdorimin e tepruar të teknologjive më të reja të informacionit, kurse tani kjo kohë e mbrapshtë që na duhet të jetojmë, kërkon të kundërtën. Po ndryshojmë qajse!
Përveçse i lejojmë të qëndrojnë edhe më gjatë para televizorit dhe ekraneve të i-pade-ve e smartphone-ve, u kërkojmë që të na mësojnë edhe neve përdorimin e këtyre të fundit. Ne që deri dje e shihnim si dëm social teknologjinë e re të informacionit, ne po kërkojmë të përqafohemi më fort dhe sa më shpejt me të, duke mos humbur kështu linjat e komunikimit të përshtatshme në këtë periudhë.
Mendja njerëzore është fokusuar tek media në shumë forma. Kushdo, të moshuarit, të rinjtë dhe fëmijët janë tashmë më shpesh dhe më pranë ekraneve të televizorit, kompjuterit dhe celularëve. E ç’mund t’u thuash në këto ditë për qëndrimin me orë të gjata para tyre?! Është e vetmja mënyrë, madje më e rëndësishmja për të ushqyer shpirtin dhe mendjen. Është e vetmja mënyrë që na mban të lidhur me rrjetin social.
Një aspekt tepër i rëndësishëm në ditët e vështira që po kalojmë është edhe ai i kulturës. Po jetojmë në kushte jonormale, krejt ndryshe nga ajo që ishim mësuar para shfaqjes së kësaj pandemie. Na duhet të mësohemi me idenë se duhet të përqafojmë mënyra të tjera të shfaqjes së dashurisë dhe afeksionit ndaj të dashurëve tanë.
Jetojmë në kohën e pandemisë! Buqetat me lule, puthjet e përqafimet po i shkëmbejmë me emoji-t e celularëve dhe smartphone-ve. Dikur i uronim “Shëndet” dikujt që tështinte, kurse tani largohemi rrufeshëm nga ai që e zë tështima, për të mos thënë që e shajmë nën zë.
Më parë përshëndeteshim me shkëmbim duarsh dhe përqafimesh, kurse tani nëse shkëmbehemi në rrugë, me këmbë dhe me duar një metër e gjysmë distancë. Megjithatë, pavarësisht distancës, nuk kemi harruar të përshëndetemi me afeksion.
Të frikësuar dhe të përhumbur nga ky makth i papritur nuk harrojmë të përshëndetemi me duar në zemër, ashtu siç e ka zakon shqipëtari. Në ditët e karantinimit, mediat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit po na mundësojnë që edhe pse të ngujuar të vijojmë jetën.
Nuk kemi komunikim verbal të afërt dhe gjeste me prekje, si pasojë e pandemisë por kemi zë dhe figurë si rrjedhojë e teknologjisë.
Mediat tradicionale dhe online janë kthyer në kujdestarë të karantinës, duke na përcjellë informacionet e rëndësishëm të kujdesit që duhet të tregojmë si dhe të masave parandaluese për të dalë nga ngërçi i këtij virusi.
Në thelb, duke e parë si një element kaq të domsdoshëm në komunikim, media e shkruar, apo virtuale është kthyer në një mjek që kërkon të na shërojë nga paniku që na pllakosi, në një ushtar që lufton për të na mbrojtur nga armiku i padukshëm, në një ruajtës rendi që përpiqet të ruajë sigurinë tonë fizike dhe mendore, në një mësues që kërkon të mos humbasin asnjë detaj të mësimnxënies dhe në një diell me zë drejtues që do të na ngrohë dhe të na mbushë me besim e shpresë.
Vëmendja tashmë është kthyer aty ku ka audio dhe video, pasi aty do të ketë me patjetër një mesazh, një informacion, një ide, një përshëndetje, një lajm apo një vendim. Mediat po sjellin mesazhin e qeverisë, mjekut, ekonomistit, mësuesit etj, çdo ditë në çdo orë të saj dhe në shtëpitë e çdokujt që përcjell valë teknologjie të informacionit.
Ngujimi në shtëpi solli ndryshim në jetën profesionale, ku secilit i duhet të përshtatet me një sjellje ndryshe nga ajo që ishte mësuar më parë. Karantinimi solli ndryshimin e përditshmërisë.
Komunikimi online si kusht i domosdoshëm për të respektuar distancimin social po ndikon në organizimet e rrjetëzuara të bizneseve. E megjithatë organizatat po ekzistojnë në të dyja format në atë të merimangës: komunikim hierarkik dhe vertikal si dhe në formën e yllit të detit: komunikim i shtrirë në formë horizontale.
Takimet po zhvillohen online. Informacionet, vendimet dhe urdhërat po jepen dhe po zbatohen online. Përdorimi i mediumeve më të reja të komunikimit është kthyer në një kusht parësor për këtë format të ri të organizimit të jetës njerëzore, ku përhapja e rrjetave e çdo aktiviteti njerëzor është ndërtuar mbi rrjetat e komunikimit dixhital.
Sipas Manuell Castells koncepti i shoqërisë së rrjetës shihet si struktura shoqërore që rezulton nga ndërveprimi i teknologjive të reja të komunikimit dhe informacionit si dhe organizimit shoqëror. Tradicionalisht rrjetat kanë përbërë formën kryesore të organizimit shoqëror.
Rrjetat dixhitale të komunikimit janë shtylla e shoqërisë së rrjetave në kohën e sotme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, njësoj sikur ka qenë edhe energjia përgjatë Revolucionit Industrial.
Tashmë kemi forma të reja organizimi shoqëror, forma të reja prodhimi, forma të reja shpërndarjeje dhe forma të reja manaxhimi. Të gjitha këto të kushtëzuara nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit të sotëm.
Në shërbim të njerëzimit media po transformon mënyrën e kërkimit dhe zhvillimit shkencor si dhe inovacionit. Nëse para kësaj pandemie mendohej se përdorimi i internetit sillte zhdukjen e ndërveprimeve sociale apo izolimin e njeriut tek mediumi, sot po vërtetohet se përdoruesit e tij janë akoma më socialë, qytetarët janë bërë edhe më aktivë si dhe politikisht më të angazhuar.
Ndikimi i medias në vendimarrje individuale apo në grup është dhe mbetet parësor në komunikimin mbarëbotëror. Sistemi mediatik dhe komunikimi publik është i lidhur nga marrëdhënia që ekziston mes institucioneve dhe publikut, duke funksionuar si një trup kolektiv që merr informacionin, e përpunon atë dhe më pas merr vendime për zbatim.
Sot, në ditët e pandemisë që po përjeton bota, media dhe teknologjia e informacionit po shihet si një furnizues me lëndë të parë.
Elementët thelbësorë të fenomenit të socializimit janë pesë: familja, përvoja, miqtë, shkolla dhe media. Të pestë kanë rëndësinë e tyre në mirëfunksionimin e shoqërisë. Socializimi mundet të ekzistojë vetëm nëpërmjet përshtatjes me vlerat dhe sjelljes të secilit nga këta pesë elementë.
Modeli i vjetër i komunikimit ka qenë kalimi i mesazhit nga një individ tek tjetri, kurse modeli i ri që po na ofrohet nga media në këto ditë karantimi është nga shumë persona tek shumë të tjerë.
Media, duke qenë një hallkë e rëndësishme e socializimit duhet të merret patjetër në konsideratë nga qeveritë për ta përfshirë në paketat mbëshetëse. Ky element kaq i domosdoshëm që na sjell kaq pranë realitetin në kushtet e një pandemie dhe një mikroorganizmi të padukshëm ndërkohë që ne qëndrojmë në shtëpitë tona me të dashurit tanë ka nevojë për mbështetje.
Që të ekzistojë, media ka nevojë për ushqim, reklama nga bizneset dhe format e ndryshme që operojnë brenda territorit. Në kushtet kur bizneset nuk operojnë dhe aktivitetet janë tepër të kufizuara, ajo e ka të pamundur të paguajë kuotën sipas marrëveshjes së detajuar paraprakisht.
Qeveria duhet ta përfshijë patjetër këtë armatë luftëtarësh të fjalës në planin e saj për mbështetje financiare. Fjala e lirë nuk duhet të zbehet dhe ndërpritet kurrsesi. Media funksionon nga puna e pandërprerë e një armate njerëzish, e cila është e detyruar të mos qëndrojë në karantimin, vetëm që ne të përjetojmë botën anticovid.
Pikërisht kjo armatë njerëzish që mbulon rrugët e Shqipërisë me të reja të dhimbshme apo të bukura si dhe të reja të vlefshme, të padëgjuara më parë ka nevojë më tepër se kurrë për vëmendjen e qeverisë. Falë saj po mundemi të qëndrojmë bashkë edhe pse në distancë.
Në këtë kohë pandemie, po mësojmë t’u përshtatemi vlerave që sjell komunikimi online.
Po afrohemi me njerëz që i kemi në distancë.
Po qëndrojmë të bashkuar me elementë të ngjashëm por edhe të ndryshëm të shoqërisë.
Po ecim nën gjurmët e ekspertëve tanë të tanishëm dhe paraardhës për të jetuar dhe transmetuar vlerat e sotme tek ata që do të vijnë më pas.
Do t’u tregojmë brezave pasardhës se si komunikimi u shndërrua në një veçori të kohëve moderne dhe në një çelës për zgjidhjen e problemeve dhe tensioneve shoqërore.
Do t’u tregojmë se kemi jetuar në kohën e Covid-19.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë