Drejtoria e Tatimeve ka dhënë informacion lidhur me ecurinë e deritanishme të aplikimeve për ndihmë financiare, për përfitimin e pagës minimale prej 26 mijë lekë nga bizneset e vogla.
Sipas grafikëve të publikuar, deri tani kanë aplikuar 86.6 mijë punonjës dhe 49.2 mijë biznese.
Nga këta, janë verifikuar 35.8 mijë punonjës dhe 21.4 mijë biznese.
Nga punonjësit e verifikuar, ndihma financiare për ta është pranuar për 20.6 mijë punonjës, pra për 58% të rasteve të verifikuara.
Si rrjedhojë, rreth 42% të aplikimeve të punonjësve janë refuzuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.254, datë 27.3.2020 parashikon ndihmën financiare vetëm për bizneset që janë në listën e aktiviteteve të mbyllura nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa punonjësit e bizneseve të vogla, që nuk janë në këtë listë, nuk përfitojnë, ndonëse mund ta kenë mbyllur aktivitetin.
Bizneset janë ankuar se edhe pse ndodhen në listën e aktiviteteve të mbyllura po refuzohen, për shkak se statusi i aktivitetit të tyre mund të ketë qenë i paqartë, ndërsa tatimet nuk vijnë të verifikojnë në terren. Tatimet ndërkohë kanë bërë të ditur disa numra telefoni ku subjektet e refuzuara mund të ankohen.
Numri i refuzimeve ka qenë më i lartë në Tiranë, Durrës e Fier, ku janë dhe aplikimet më të mëdha, për shkak të madhësisë së këtyre ekonomive.
Në total janë të punësuar në biznesin e vogël 176 mijë punonjës, nga të cilët pritet të kompensohen rreth 60 mijë, pra një e treta.
Nga rreth 20.6 mijë punonjës, aplikimet e të cilëve kanë rezultuar pozitive, rreth 17 mijë janë paguar tashmë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor