Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video, në të cilën shfaqen të dhënat për bizneset dhe punonjësit që kanë aplikuar për të ashtuquajturën “pagën e luftës”, për shkak të bllokimit të aktivitetit ekonomik si pasojë e epidemisë së koronavirusit.
Rama thotë se në paketë, do të përfshihen edhe biznese të vogla të tilla si taksi, servise makinash, lavazhe, rrobaqepësi , bojaxhi, etj. Sipas tij, nga bonusi do përfitojnë edhe qiradhënësit, që nuk kanë të ardhura të tjera vec qirasë.
“Përditësim i pagesave për punonjësit e bizneseve të vogla që janë mbyllur nga lufta.
Vazhdojnë përditë verifikimet e aplikimeve dhe lëvrimi i pagave të luftës.
Biznese të tjera të vogla të regjistruara si taksi, servise makinash, lavazhe, rrobaqepësi , bojaxhi, hidraulik, elektriçist, fizioterapi, etj., do të përfshihen në paketën e zgjeruar.
Paketa e Zgjeruar do të adresojë me një bonus lufte edhe hallin e individëve qeradhënës që nuk kanë të ardhura të tjera veç qerasë apo të individëve që u është pamundësuar puna në kompani e ndërmarrje me xhiro mbi 140.000 lek në vit. Për përcaktimin e masës së kësaj mbështetjeje me Bonusin e Luftës, do të vendoset duke ndjekur dinamikën e luftës në 3/4 ditët në vijim”- shkruan Rama.
Sipas të dhënave të publikuara, deri tani u është aplikuar bonusi 12 640 bizneseve si dhe 20636 punonjësve.