Vendosni fjalën kyçe....

“30 respiratorë të rinj brenda prillit”- Shqipëria merr 700 mijë dollarë nga Zvicra, Norvegjia dhe UNDP-ja


30 respiratorë të rinj do të vihen në dispozicion të ministrisë së Shëndetësisë, për trajtimin e të infektuarve me COVID-19 brenda muajit prill.

Lajmi është konfirmuar nga ministrja Ogerta Manastirliu, e cila tha se qeveria zvicerane po dhuron 330,000 dollarë, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 dollarë, që do të shkojnë për blerjen e 30 respiratorëve të rinj.

Marrëveshja është firmosur nga qeveritë shqiptare, zviceriane dhe ajo norvegjeze, si dhe Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP), të cilat sëbashku kanë dhuruar një fond prej 700 mijë dollarë.

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve në luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë, ku ka më shumë të panjohura sesa të njohura, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat, duke qenë solidarë. Ndaj, mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, thotë Manastirliu.

Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi se është e nevojshme që në këto ditë të vështira, vendet të tregohen solidare me njëri-tjetrin:

“Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë. Për këtë arsye, Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të paprecedent me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”

Kujtojmë se që nga 9 marsi deri sot, janë konfirmuar 416 raste me koronavirus në vend, ndërsa kanë humbur jetën 23 persona.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *