Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari holandez: E kotë të shpëtojmë pleqtë, obezët dhe duhanpirësit, ata do vdesin për dy vite


Një personalitet i televizionit dhe gazetarisë në Holandë,  ka shkaktuar shumë zhurmë me disa komente të tij lidhur me kujdesin shëndetësor në kohën e pandemisë.

Gazetari Jort Kelder, 55 vjeç, i cili është mik i kryeministrit holandez Mark Rutte, kërkoi që t’i kushtohej një vëmendje më e madhe ekonomisë, duke mos e konsideruar me rëndësi mjekimin e pacientëve më vulnerabël.

Kelder shkroi në një postim në rrjetet sociale, se duhet të peshoheshin interesat, dhe ekonomia duhej vendosur e para, pasi shumë nga njerëzit që humbasin jetën, kanë vuajtur dhe nga sëmundje të tjera.

“Po shpëtojmë 80-vjeçarët, obezët dhe duhanpirësit. Statistikisht kjo është. Është mirë që të peshohen interesat, pasi kushedi sa dëm ekonomik do të sjellë shpëtimi i njerëzve që me siguri do të vdesin brenda dy vitesh”– shkruante ai, citon Daily Mail.

Por mesazhi i tij u prit me shumë kritika, e mbi të gjitha për shkak se ai është dhe mik i kryeministrit, duke e bërë këtë të duket edhe si një qëndrim në hije i qeverisë.

Më pas gazetari u detyrua të kërkonte ndjesë dhe të jepte një sqarim  për deklaratën e tij.

“Unë nuk sugjerova të vrisja njerëz të moshuar apo obezë”– tha ai në një intervistë.

“Le t’i shërojmë ata, por le t’i kushtojmë vëmendje edhe ekonomisë. Ne jemi gjithmonë duke menduar për shëndetin, por a duhet të jetë gjithnjë me përparësi mbi ekonominë? “

Fjalët e tij vijnë në një kohë kur një numër në rritje i njerëzve po shtojnë kritikat ndaj mungesës së masave të vendosura në të gjithë vendin, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Vendimi i kryeministrit Holandez për të mos zbatuar një bllokim më të rreptë ka qenë subjekt i kritikave ditët e fundit, pasi numri i rasteve ka arritur në më shumë se 19.500. Ndërsa ka pasur 2.101 vdekje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *