Policia italiane zbuloi 20 kilogramë drogë, në një kamion nga Shqipëria, kur sapo kishte dalë nga porti i Barit.
Mediat në shtetin fqinj shkruajnë se lënda narkotike e gjetur në kamion, ishte fshehur në një mënyrë tepër profesionale nga ana e shoferit shqiptar.
12 kilogramë kokainë dhe 8.8 kg heroinë ishin fshehur nën levën e ingranazheve, në një fund të dyfishtë që mund të hapej me një pajisje elektronike të sofistikuar.
Droga u zbulua nga qentë e pikës së postbllokut të ngritur për Covid-19.
Shoferi 47-vjecar shqiptar deklaroi para policëve se kishte ardhur nga Durrësi dhe po udhëtonte drejt Piacenza-s dhe Bergamos, për të transportuar veshje. Sapo kamioni ndaloi, qentë e pikës së postbllokut nuhatën drogën dhe pas kontrollit të imtësishëm të mjetit u gjet lënda narkotike.