Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë: I moshuari në Shkodër nuk vdiq nga koronavirusi, ishte bartës por pa shenja


Paraditen e sotme në disa media në vend, kanë qarkulluar lajme se ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij, babai i “pacientit zero” në Shkodër, duke çuar në 24 numrin e viktimave nga koronavirusi.

Mirëpo Ministria e Shëndetësisë ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, duke thënë se i moshuari nuk e ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, por sepse kishte pësuar infarkt.

Ndërsa pranon se 85-vjeçari me inicialet E.L ishte bartës i virusit, ministria e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, thotë se ai nuk kishte simptoma.

I moshuari kishte pësuar një frakturë para dy muajsh dhe kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.

“Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti me COVID19 në Shkodër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:

I moshuari 85-vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID19.

I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.

85-vjeçari ka qenë bartës i COVID19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID19 në Shqipëri.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *