Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi paraditen e sotme në Tiranë, ku personi në kërkim, Orgest Bilbili, u konfliktua me një polic dhe shkaktoi plagosjen e një kalimtareje.
Në njoftimin e policisë, efektivi i policisë i ka kërkuar një Bilbilit lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit, në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
30 vjeçari nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Polici e ka ndjekur, por ai më pas ka nxjerrë pistoletën për ta kërcënuar.
“Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të monitorimit të zbatimit të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar edhe ditën e sotme të ushtrojnë kontrolle të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në brendësi të lagjeve, kryesisht në zonat urbane.
Në këtë kuadër, në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.
Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.
Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Konflikti është përshkallëzuar dhe polici e ka plagosur atë në këmbë me qëllim për t’u mbrojtur, pasi Bilbili i kishte drejtuar armën. Mirëpo e plagosur gjatë episodit ka mbetur edhe një kalimtare, e cila për fat të mirë gjendet jashtë rrezikut për jetën. Në njoftim nuk sqarohet nëse gruaja është qëlluar nga arma e 30-vjeçarit apo e policit.
“Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.
Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.
Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.
Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.
Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.
Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.
Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes.
Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.”– vijon më tej njoftimi.
Orgest Bilbili ishte në kërkim, pasi akuzohet si bashkëpunëtor i Laert Haxhiut në vrasjet që ndodhën në Lushnjë në vitin 2017, ndërsa rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike.
Bashkë me Haxhiun, ai dyshohet dhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Një tjetër akuzë që rëndon ndaj tij është se ai akuzohet edhe si bashkëpunëtor i pilotit italian, Giorgio Riformato, avioni i të cilit, ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali./Hashtag.al