Policia ka arrestuar një 43 vjeçar në Poliçan, i cili hiqej si shef policie dhe u bënte presion qytetarëve për t’u marrë para dhe sende, duke shfrytëzuar dhe pandeminë e koronavirusit.
Shtetasi i quajtur Ismet Hada, akuzohet se i ka marrë një shumë parash shtetasit me inicialet R. K., banues në Lapardha, me pretendimin se po e falte që kishte thyer karantinën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit, pas informacioneve që dispononin se një shtetas prezantohej si shef policie dhe me atë të presionit iu merrte qytetarëve lekë e sende të tjera, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. H., 43 vjeç, banues në fshatin Mbrakull, Poliçan.
Nga veprimet e kryera rezultoi se ky shtetas, në zonën e Lapardhasë, duke u prezantuar si punonjës policie dhe me anë të presionit i ka marre një shumë parash shtetasit R. K., banues në Lapardha, me pretendimin se po e falte që kishte thyer karantinën.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, 43-vjeçari akuzohet se i ka marrë një shtetasi tjetër me inicialet P.B., një aparat telefon, për ta falur që kishte thyer karantinën.