3 policë të prekur nga Covid-19 janë shëruar ndërsa 5 të tjerë janë të shtruar në spital.
Lajmi është pohuar nga drejtori i Përgjithshëm, Veliu, në një lidhje të drejtpërdrejtë me News 24 në emisionin Kjo Javë.
Sipas tij, që pas shpalljes së fatkeqësisë natyre për policët janë marrë masa mbrojtëse.
“Është e vërtetë që janë 8 punonjës policie të prekur drejtpërdrejt. 3 janë shëruar, kanë kaluar gjendjen në spital dhe kanë dalë janë në banesat e tyre. Pjesa tjetër të shtruar në spital. Janë vetëkarantinuar ata që kanë pasur kontakte. Kemi dhënë porositë e herëpashershme. Shërbimet e Policisë Kufitare janë pajisur me maska dhe doreza që në muajin janar. Të infektuar ka dhe tek Drejtoria Vendore e Tiranës dhe reparti i ndërhyrjes së shpejtë.” – tha ndër të tjera Veliu.
Ai foli edhe për arrestimin e Orges Bilbilit ditën e djeshme, një person i shumëkërkuar nga drejtësia prej shumë vitesh.
Veliu tha se punonjësi i policisë ka reaguar me profesionalizëm ndërsa pohoi se qytetarit të plagosur i është kërkuar ndjesë lidhur me ngjarjen.
“Punonjësi i policisë bëri detyrën, kishte përballë një person të armatosur që madje që i drejtoi armën. Ai u tregua si profesionist, reagoi më shpejt. Në këtë situatë fatkeqësisht patëm një person të dëmtuar, i kërkuam falje, e takuam në spital. Është një ngjarje që që nuk duhet të ndodhte, por punonjësi i policisë ka qënë brenda të gjitha protokolleve që përcakton përdorimi i armës së zjarrit në kushtet e vetëmbrojtjes.” – tha Veliu.