SHBA-ja është bërë vendi i parë në botë që ka regjistruar më shumë se 2,000 vdekje nga koronavirusi në një ditë të vetme.
Shifrat nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë se 2,108 njerëz kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të kaluara, ndërsa ka më shumë se gjysmë milioni raste të konfirmuara të personave të infektuar.
BBC shkruan se SHBA-ja së shpejti mund ta tejkalojë Italinë, si vendi me më shumë vdekje nga koronavirusi në të gjithë botën.
Por ekspertët e grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë Covid-19, thonë se kurba e shpërthimit po fillon të rrafshohet në të gjithë SHBA-në.
Dr .Deborah Birx tha që kishte shenja të mira se shpërthimi i virusit ishte duke u stabilizuar, por paralajmëroi: “Inkurajuese sikurse janë shifrat, ne nuk e kemi arritur ende kulmin”.
Presidenti Donald Trump tha gjithashtu se ai pret që SHBA të ketë një numër më të ulët vdekjesh sesa parashikimet fillestare sipas të cilave do humbnin jetën 100,000 njerëz.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, tani SHBA-ja ka të paktën 18.693 viktima dhe 500.399 raste të konfirmuara.
Rreth gjysma e vdekjeve janë regjistruar në zonën e New York.
Italia është vendi që deri tani mban rekordin me numrin e viktimave, duke regjistruar 18.849 vdekje. Ndërsa në të gjithë botën kanë humbur jetën më shumë se 100,000 njerëz.
Studiuesit kishin parashikuar që numri i vdekjeve në SHBA do të arrinte në kulmin e tij të premten dhe pastaj gradualisht do të fillonte të bjerë.