Disa shtete në Europë kanë filluar të mendojnë për heqjen e kufizimeve dhe rifillimin e jetës ekonomike, edhe pse koronavirusi vijon të marë jetë njerëzish.
Njerëzit në Republikën Çeke tani mund të blejnë pajisje dhe biçikleta në dyqane, të luajnë tenis dhe të shkojnë për not.
Austria planifikon të rihapë dyqanet më të vogla pas Pashkëve. Danimarka do të rihapë kopshtet dhe shkollat nga java e ardhshme nëse rastet e koronavirusit mbeten të qëndrueshme, dhe fëmijët në Norvegji do të kthehen në kopshtin e fëmijëve një javë më vonë.
Për atleten profesioniste Irena Gillarova, nga Republika Çeke, lehtësimi i kufizimeve të enjten do të thoshte që ajo mund të kthehej në stërvitje në stadiumin Juliska në Pragë për herë të parë pasi vendi i saj u mbyll.
“Është e shkëlqyeshme, sinqerisht. Unë jam shumë e gëzuar dhe ndihem shumë mirë”– tha atletja për CNN të premten.
“Këto dy javë në shtëpi më ndihmuan të vlerësoja punën time edhe më shumë se më parë dhe të mos e merrja si të mirëqenë.”
Atletët kanë një orar për të siguruar që vetëm një numër i caktuar i njerëzve do të jenë në stadium në të njëjtën kohë: “Jam ndjerë 100% e sigurt”– tha 28-vjeçarja. “Unë mendoj se sistemi është shumë i mirë dhe të gjithë po e marrim me përgjegjësi.”
Dr. Peter Drobac, një ekspert global i shëndetësisë në Shkollën e Biznesit në Oxford Saïd, i tha CNN se ato vende që tani po lehtësojnë kufizimet e tyre ishin “shembuj të rëndësishëm dhe shpresëdhënës” për Perëndimin.
Por drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit për Evropën, Dr. Hans Kluge, paralajmëroi këtë javë se situata në Evropë është ende “shumë shqetësuese” dhe insistoi se “tani nuk është koha për të lehtësuar masat”.
“Europa mbetet ende në qendër të pandemisë”, tha ai të mërkurën, me shtatë nga 10 vendet më të prekura që ndodhen globalisht në kontinent.
Një studim i bazuar në përhapjen e koronavirusit në Kinë, botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, ka sugjeruar që masat shtrënguese ndaj COVID-19 në të gjithë globin nuk duhet të hiqen plotësisht derisa të gjendet një vaksinë për sëmundjen.
DANIMARKA
Danimarka ka thënë se planifikon t’i dërgojë fëmijët përsëri në shkollë dhe në kopshte nga 15 prill, nëse rastet e koronaviruseve mbeten të qëndrueshme.
Por jeta atje do të duket ende larg normales.
Shumë kufizime do të qëndrojnë në vend dhe kthimi i tyre mund të jetë me faza, tha qeveria. Ndalimi për mbledhjet e më shumë se 10 personave është zgjatur deri më 10 maj dhe të gjitha shërbimet e kishës, kinematë dhe qendrat tregtare gjithashtu do të qëndrojnë të mbyllura.
Kryeministrja Mette Frederiksen tha se të gjitha festivalet dhe tubimet e mëdha do të ndalohen akoma deri në gusht, dhe se kufijtë e Danimarkës do të qëndrojnë të mbyllura.
ÇEKIA
Republika Çeke shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 12 mars. E në mënyrë të pazakontë në Europë, u kërkoi 10.7 milion shtetasve të saj të mbulonin fytyrat me maska ose shalle kur jashtë shtëpisë nga 19 Mars.
Por të hënën qeveria njoftoi se do të fillonte të lehtësonte disa kufizime të koronavirusit këtë javë.
Që nga e marta, njerëzve u është lejuar të ushtrojnë vetëm, pa maska për fytyrën. Dyqanet e materialeve të ndërtimit dhe dyqanet e pajisjeve të harduerit, dyqanet e biçikletave dhe qendrat e riparimit të biçikletave janë ndër ato biznese që lejohen të rihapen nga e enjtja. Objektet në natyrë për sporte individuale, po rihapen gjithashtu.
E po ashtu do të lejohet udhëtimi jashtë Republikës Çeke duke nisur nga 14 Prilli.
AUSTRIA
Kancelari austriak Sebastian Kurz njoftoi këtë javë se vendi po përgatitej për një “ringjallje” pas Pashkëve, duke rihapur dyqanet për pajisje kompjuterike dhe kopshtet nga 14 prilli. Por tani do t’u kërkojë njerëzve të veshin maska për fytyrën në supermarkete dhe në transport publik.
Nga 1 maji do të hapen të gjitha dyqanet, qendrat tregtare dhe parukeritë; ndërkohë restorantet dhe hotelet do të hapen nga mesi i majit në një proces gradual. Kjo do të ndodhë “në kushte të rrepta sigurie, natyrisht”, tha Kurz.
Ai gjithashtu paralajmëroi që rreziku nga koronavirusi ende nuk ka mbaruar.
NORVEGJIA
Norvegjia po i jep përparësi rihapjes së shkollave. Qeveria do të fillojë të zvogëlojë masat e bllokimit duke nisur nga 20 prilli, tha kryeministrja Erna Solberg.
Ajo tha se në këtë datë do të fillojnë të rihapen kmopshtet, e një javë më vonë do të rinisë mësimi për nxënësit në klasat një deri në katër.
“Ambicia jonë është që të gjithë nxënësit të kthehen disi në shkollë para verës”– tha Solberg.
Qeveria beson se statistikat më të fundit ofrojnë një bazë për “optimizëm të kujdesshëm”, që tregon se niveli i infeksionit është ulur.
Marrë me shkurtime nga CNN