Vendosni fjalën kyçe....

Kontradikta ndërkombëtare e një pandemie


Nga Edon Qesari

Në rast se do të përpiqeshim t’i hidhnim një sy të parë, e si të tillë të përgjithshëm, pasojave të menjëhershme që ka nxjerrë në pah pandemia e koduar Covid-19 në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të vërenim themelet, në dukje, të një kontradikte rrënjësore:

Nga njëra anë, vështirësitë e secilit shtet – e veçanërisht të atyre që në një zhargon dépassé cilësohen si Fuqi të Mëdha – për t’u përballur individualisht me vërshimin e virusit, kanë vënë theksin tek nevoja, gati therëse për bashkëpunim dhe bashkërendim ndërkombëtare.

Kjo pandemi nuk është thjesht, siç thuhet nga shumë anë në trajtë refreni, një pjellë e globalizmit; pasi, nëse kthejmë sytë pas në histori – e nëse duam deri në Mesjetë, periudhë që, shpesh me paragjykim, konsiderohet si tregues i një mbylljeje globale – do të shohim se çdo vërshim pandemik ka një pikënisje dhe një ecuri që përfshin lehtësisht skajet e globit.

Në të vërtetë pra, Covid-i 19 thjesht pohoi, për të disatën herë, se jetojmë në një global village, e se vetëm ndonjë cep rastësor mund t’i shpëtojë shtrëngatës së përgjithshme. Dinamika e transmetimit, afërmendsh, është disa herë më e lartë, krahasuar me Murtajën e Zezë (1347-1352), por fakti në vetvete nuk është asgjë e re në frontin perëndimor.

Nga ana tjetër, mund të themi me plot gojë se pandemizimi (lexo: globalizimi, pikërisht) i një epidemie si kjo e këtyre muajve, e cila në pak javë shëtiti dy hemisferat, dëshmon edhe dështimin e globalizmit; të paktën nëse i referohemi modelit liberal-demokratik, që ka trajtësuar marrëdhëniet ndërkombëtare qysh nga fundi i Luftës II Botërore.

Jo vetëm që jemi në prani të një vullneti të padiskutueshëm për të nxjerrë sërisht në dukje modelin e një Shteti të fortë – në ekonomi, në masa drakonike kufitare dhe protagonizëm diplomatik – por mund të shohim se si në fare pak kohë u ngrys edhe pesha e organizatave ndërkombëtare.

Kërkesave për Colbertisme në qeverisjen e financave publike, i është bashkëngjitur një prirje më e qartë për të shembur dy evolucionet që kishin zbehur figurën e Shtetit-Komb deri një dekadë më parë: lokalizmat me prirje centrifugale dhe federalizmat me prirje centralizuese.

Sigurisht, do të thonin disa zëra të arsyeshëm, Shteti gjithmonë atje kishte qenë, i patundur ballë ndryshimeve të mëdha sistemike; e organizatat ndërkombëtare – duke nisur nga ajo par excellence, OKB-ja – përherë kanë hasur vështirësi në imponimin e vullnetit të tyre në arenën globale. Megjithëkëtë, është e dukshme se pandemia ndaloi një shtysë që gjykohej e pakthyeshme.

Shtetet, si shëmbëlltyra konservatore të një autoriteti të qartë sovran mbi një popullatë dhe territor të caktuar janë fitimtarët e mëdhenj të kësaj flame epokale. Po aq fitimtarë – rikthehemi tek kontradikta në dukje – sa nevoja që kanë këta aktorë shtetërorë për t’i bashkërenduar në mënyrë më të qartë masat anti-Covid 19 mes tyre.

Nga njëra anë, del në pah nevoja që shtetet të forcohen kundrejt botës së tyre të jashtme. Pastaj, nga ana tjetër, lypet që ata t’i japin prioritet arsyes bashkëpunuese.

Nëse do të merrnim një shembull ilustrues, i cili të na shërbejë për t’i dhënë shpjegim këtij kombinimi të ndërlikuar, rasti i Bashkimit Evropian në përballje me pandeminë do të ishte i përkryer.

BE-ja është emblema e një evolucioni liberal-demokratik që nuk po arrin të shënojë kulmin; e që ka shumë mundësi të shënojë fundin e vet si eksperiment, pikërisht si pasojë e pamundësisë për të pleksur dy prirjet që përshkruam më sipër.

Bashkimi Evropian po kalon, sot që flasim, ndoshta çastin më të vështirë në historinë e vet. Si organizatë ndërkombëtare, BE-ja po dëshmon pamundësi – apo siç shprehen ca, papjekuri – në përballimin e bashkërenduar të krizës.

Janë 28 shtete të cilat, de facto, i kanë mbyllur kufinjtë njëri-tjetrit. Nëse jugu i BE-së (Italia, Spanja, Portugalia e Franca), nën lëngatën e vërtetë të virusit bëjnë thirrje për më shumë bashkëpunim përbrenda familjes evropiane, vendet e veriut (sidomos Gjermania, Austria, Holanda dhe Finlanda) s’duket se duan të shpenzohen në atë drejtim.

Në të dy krahët duket se po marrin peshë paragjykimet e vjetra, të cilat e kanë zanafillën, ndoshta, që në hapat e para të integrimit evropian.

Nëse në jug të Evropës, veçanërisht në dy prej vendeve më të populluara, siç janë Italia dhe Franca, po gjen mbështetje mendimi se veriorët i kanë braktisur, në veri të Evropës po rikthehet ndjesia e të qenit të shfrytëzuar nga jugorët – se veç veriorët punojnë ndërsa jugorët festojnë.

E kuptueshme se ka një drojë aspak të paarsyeshme se këto dy frymë mund të përkthehen në terma elektoralë, e se shpejt prirjet sovraniste (jo më euro-skeptike, si dikur, por tashmë bindshëm euro-kundërshtare) do të përfitojnë duke rritur pushtetin e tyre.

Ende sot, mbi dy muaj pasi COVID-i 19 trokiti në Bashkimin Evropian duke u hedhur në Itali, nuk ka një zgjidhje “familjare” se si BE-ja – e sidomos institucionet e përbashkëta, Komisioni Evropian in primis – do të përballen me pandeminë që vazhdon, e me krizën e pashmangshme ekonomike që do ta ndjekë.

Ndërkaq që vendet e veriut evropian, nën shtysën më të ashpër holandeze, duan një zbatim parimor të mekanizmave ekonomik stabilizues që janë përdorur më herët (në krizën financiare të 2008-s), Italia dhe Spanja kundërshtojnë.

Sipas këtyre, nëse do të zbatoheshin po ato metoda diktati që Troika e institucioneve financiare ndërkombëtare (KE+FMN+BCE) imponoi ndaj Greqisë në vitet 2012-2015 – që janë dhe thelbi i mekanizmave të propozuara nga Gjermania dhe Holanda – vendet e ngujuara nga pandemia do të futeshin në masa shtrënguese tragjike për fatin e ekonomive të tyre.

Thelbi i betejës është pikërisht tek rigoroziteti ndaj financave publike, që vendet veriore duan të imponojnë, ndërsa ato jugore nuk duan të pësojnë. Me pak fjalë, secili shtet duket se arsyeton për vete, në mungesën më absolute të një Evrope që do të duhej të vinte dorën në zemër për të gjithë.

Shembja e një iluzioni komunitar, e për më tepër e një mënyrë bashkëvepruese mes shtetesh që parimisht kanë hequr dorë nga sovranitetet përkatëse, ka shtyrë që disa prej tyre t’i rikthehen diplomacisë etatiste.

Shënohet kësisoj më pak besim tek një komunitarizëm shumëpalësh si ai i BE-së dhe më shumë besim në një realizëm dypalësh.

Shembull është Italia e cila, gjatë ecurisë së pandemisë, ka shpeshtuar kontaktet si me Pekinin, shumë vullnetmirë për të vënë në veprim soft diplomacy-në e vet (për të cilën s’para shquhej), por dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – prej vitesh në përplasje me Gjermaninë, partnerja që sot italianët shohin si bukëshkalë.

Në vetvete drejtimet se nga mund të çojë një kahje e tillë dykëndore janë ende të paqarta, ndonëse ato mund të jenë treguese, sidomos për ato vende që ende nuk janë pjesë e një club-i i cili prej vitesh i ngjan gjithmonë e më pak përfytyrimet që kish krijuar për veten.

Çka duket qartë, si emblemë e zhvillimeve krejt të paprecedenta që janë në horizont, është se skena ndërkombëtare do të mbizotërohet nga bashkëjetesa e dy prirjeve që trajtuam në hyrje të këtij shkrimi. Aftësia balancuese mes tyre, me gjasë, do të jetë mënyra më e mirë për t’i bërë ballë një bote sërish hobbesiane.

*Autori është pedagog dhe drejtues i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *