Mjekët veterinerë në Britani u kanë rekomanduar pronarëve të maceve, që t’i mbajnë kafshët e tyre shtëpiake të mbyllura brenda në banesë, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit midis kafshëve.
Megjithatë Shoqata Britanike e Veterinarisë thotë se “pronarët nuk duhet të shqetësohen” për rrezikun e infeksionit nga kafshët shtëpiake.
“Nuk ka asnjë rast të vetëm të një qeni apo maceje që infekton një njeri me Covid-19”, tha Dr.Angel Almendros, për BBC News.
Hulumtimet kanë treguar që macet mund të jenë në gjendje të kapin virusin nga macet e tjera. Dr.Almendros shtoi se do të ishte e arsyeshme që macet të mbahen brenda shtëpisë, aty ku janë të sigurta.
Presidentja e Shoqatës së Veterinarisë Britanike, Daniella Dos Santos tha se ajo ishte dakord me atë këshillë. Por shoqata ka sqaruar që rekomandimi i saj për pronarët është që të marrin masat paraprake për mbajtjen e maceve brenda shtëpisë, “vetëm nëse dikush në familjen e tyre shfaqte simptoma”.
“Çdo pronar i kafshëve shtëpiake duhet të praktikojë higjenën e mirë të duarve”, tha ajo.
Qimet e një kafshe mund ta barttin virusin për një kohë të gjatë, nëse vihet në kontakt me një person të sëmurë.
Pas një rasti në Belgjikë ku një mace u testua pozitive rreth një javë pasi pronari i saj tregoi simptoma, shkencëtarët në Kinë kryen teste laboratorike që provuan se macet e infektuara mund ta transmetojnë virusin te macet e tjera. Por ende nuk ka asnjë provë që kafshët shtëpiake, të mund ta kalojnë këtë sëmundje përsëri te njerëzit.