Komisionerja për fëmijë e Britanisë së Madhe, Anne Longfield, ka thënë se shkollat duhet ta shqyrtojnë mundësinë e hapjes në ndonjë formë gjatë pushimeve verore 6-javore në mënyrë që fëmijët t’i zënë mësimet e parapara me kurrikulë dhe që të ofrohet përkujdesje ndaj fëmijëve të familjeve që duhet të punojnë.
Zonja Longfield tha se kur të lejohet hapja e shkollave, ato mund të jenë jetike gjatë pushimeve verore. “Pavarësisht se a hapen për të gjithë apo jo, shkollat e kanë një rol vërtet të rëndësishëm, sidomos për fëmijët e prekshëm gjatë muajve të ardhshëm”, tha ajo.
Longfield shtoi: “Do të sishte vërtet e çmueshme, nëse lejohet me këshilla të ekspertëve, që shkollat ta marrin parasysh fillimin e mësimit në ndonjë formë gjatë pushimeve verore për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë dhe të mos mbeten prapa, por edhe për t’ua ofruar atyre një vend të sigurt për të luajtur dhe për t’u shoqëruar.”
Megjithatë, kundër këtij plani është Unioni Kombëtar i Edukimit, i cili i përfaqëson mësuesit. Ky union ka thënë se procesi mësimor nuk mund të zhvillohet gjatë pushimeve të verës për shkak të shqetësimeve në lidhje me çështjet praktike dhe kontraktuale, shkruan “The Guardian”.
Kjo organizatë është e shqetësuar që puna gjatë verës do të nënkuptonte mungesë të pushimit për stafin e shkollave, të cilat kanë qenë të hapura edhe gjatë kësaj kohe.