Vendosni fjalën kyçe....

Lidhja sekrete dhe dy fëmijë, çfarë dimë për të fejuarën e Julian Assange


Ditën e djeshme u zbulua lajmi se Julian Assange ishte bërë baba i dy djemve, gjatë qëndrimit të tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Dhe e dashura e tij sekrete ishte Stella Morris, avokatja e tij që e ka mbrojtur përgjatë gjithë këtyre viteve.

Në një video të publikuar nga WikiLeaks, Stella Morris tha se ajo dhe Assange u takuan në vitin 2011 dhe ishin së bashku romantikisht deri në vitin 2015.

 WikiLeaks e publikoi videon në të njëjtën kohë kur Daily Mail publikoi intervistën me avokaten.

Stella Morris është 37-vjeçe, me origjinë nga Afrika e Jugut, por emri i saj i vërtetë është Sara González Devant.

1- Lidhja e Morris me Assange

Në videon e publikuar nga WikiLeaks, Stella Morris tha se ajo dhe Assange janë takuar për herë të parë në vitin 2011 dhe se lidhja e tyre romantike kishte nisur 4 vjet më vonë, pra në 2015-ën.

“Unë kam qenë në ambasadë pothuajse çdo ditë të vetme dhe e kam njohur Julianin shumë mirë, dhe në 2015 u lidhëm bashkë”– tha ajo.

“Ne u dashuruam dhe… ky është një person që unë… e njihja mirë deri atëherë… Personi që njoh më shumë në këtë botë, dhe ai është i jashtëzakonshëm. ”

Sipas tabloidit britanik Daily Mail, Morris dhe Assange u fejuan në vitin 2017.

2-  Fëmijët ishin të planifikuar dhe “akt rebelimi”

Duke patur parasysh kushtet e Assange, shumica do mendonin se fëmijët kanë ardhur në jetë në mënyrë të paplanifikuar. Por Morris tha se fillimi i një familjeje me Assange ishte një vendim i qëllimshëm dhe një mënyrë që ai të imagjinonte një jetë përtej ambasadës.

Ata kanë dy fëmijë, Max dhe Gabriel. Djemtë janë të dy shtetas britanikë dhe e kanë vizituar Assange ndërsa ai është në burg. Kumbarat e tyre janë dukesha e Beaufort dhe reperi britanik M.I.A.

“Për ne ishte gjëja më e shëndetshme për të bërë, ato që i mban gjërat të vërteta”-tha avokatja në video.

“… Më kthen besim kur Juliani i sheh fëmijët, kjo i jep shumë paqe, edukim dhe mbështetje, dhe kjo është mirë. Ata janë shumë të lumtur. “

Morris tha se fillimi i jetës së tyre së bashku ishte një akt rebelimi.

“Unë e krahasoj këtë me të qenurit në një zonë lufte, me sulme të vazhdueshme të pamëshirshme”– tha ajo. “Ju e dini që ka operacione në zhvillim e sipër dhe nuk është ndonjë teori komploti, është pjesë e realitetit të kontekstit në të cilin ekziston gjithçka që ka lidhje me Julianin… Ashtu si në luftë, njerëzit bien në dashuri dhe vendosin të jetojnë jetën e tyre në një akt rebelimi. “

3- Doli hapur për të shpëtuar Assange

Morris tha në video se ajo përfundimisht vendosi të dalë hapur pas kaq shumë vitesh në lidhje sekrete, për të provuar të shpëtojë jetën e Assange, pasi ajo beson se dikush u përpoq të merrte ADN-në e një prej fëmijëve të tyre.

“Kjo ishte një dilemë e vërtetë për një marrëdhënie në këto rrethana.Kjo do të thotë që ti përpiqesh ta izolosh atë dhe ta mbrosh sa më fort të mundesh, dhe kjo është ajo që unë kam bërë… një lloj strehimi, një oazë, nga konteksti i çmendur.”

Pastaj ajo shtoi: “Mora vesh që foshnja ime ishte vënë në shënjestër, pasi një roje erdhi tek unë dhe më tha që po përpiqeshin t’i vidhnin ADN-në… Kam kuptuar që fuqitë kundër Julianit ishin të pamëshirshme…

Kjo është pjesërisht arsyeja pse unë ndjehem tani që… duhet ta bëj këtë… Kam ndërmarrë kaq shumë hapa për kaq shumë vite dhe ndjehem sikur jeta e Julianit mund të marrë fund. Kanë kaluar dhjetë vjet… duke u përpjekur të rrëzojnë dikë, të shkatërrojnë jetën e tij… ”

Edhe në intervistën për Daily Mail, Morris tha se ajo po e bënte publike lidhjen e saj dhe ekzistencën e fëmijëve sepse ajo kishte frikë se jeta e Assange është në rrezik. Ai është në një burg, ku një i burgosur ka vdekur nga COVID-19. Ajo tha se po përpiqet ta lirojë Assange sepse një gjendje kronike në mushkëri e bën atë tepër të prekshëm nga koronavirusi.

4- Kush i prezantoi dhe roli i Morris në çështjen e Assange

Morris tha se ajo u takua me Assange pasi avokatja Jennifer Robinson i kërkoi ndihmë për një çështje në të cilën ishte përfshirë. Robinson është një avokate australiane për të drejtat e njeriut.

Në video, Morris tha se takimi i saj i parë me Assange ishte bërë në Paddington në Frontline Club. Ajo tha se ai ishte ulur vetëm në një tryezë dhe se ajo nuk e kishte idenë se do të takohej personalisht me të atë ditë. Ajo tha se Assange ishte i hutuar gjithashtu, duke menduar se ajo ishte një gazetare amerikane që donte ta intervistonte.

“Ai menjëherë u ruajt. Kush ishte kjo grua që sapo hyri në dhomë?”- kujton avokatja, e cila shton se më pas i sqaroi se kush ishte dhe më pas ai i ofroi një çaj.

Morris thotë se ajo është një folëse e rrjedhshme e gjuhës suedeze dhe spanjolle, që ka studiuar drejtësi dhe ka punuar me koordinatorin ndërkombëtar të ekipit juridik ndërkombëtar të Julian Assange. Shkathtësitë e saj gjuhësore ishin të dobishme për çështjen e Suedisë të Assange si dhe për azilin e tij politik.

5- E njëjta mace si ajo e ambasadës

Gjatë videos, Morris kishte me vete një mace që ngjante shumë me macen e famshme të Assange, që i ka bërë atij shoqëri gjatë qëndrimit në Ambasadë.

Nuk është e qartë nëse kjo është e njëjta mace, por ngjyra e tyre është e njëjtë. Shumë njerëz në mediat sociale besojnë se kjo është e njëjta mace që u largua nga ambasada në nëntor të vitit 2018.

Assange me origjinë australiane aktualisht po mbahet në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh.

Ai ka qenë atje që nga prilli i kaluar kur policia e tërhoqi zvarrë atë nga ambasada e Ekuadorit, pas një periudhe shtatëvjeçare. Assange përballet me akuzat për spiunazh për rrjedhjen e mijëra dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës amerikane dhe rrezikon ekstradimin drejt SHBA-së, ku nëse shpallet fajtor e pret burgimi i përjetshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *