Vendosni fjalën kyçe....

“Mjekëve u kam borxh jetën” – Çfarë tha Boris Johnson pasi la spitalin (VIDEO)


Pasi la spitalin, kryeministri britanik Boris Johnson tha në një videomesazh se kjo “mund të kishte përfunduar dhe ndryshe”.

Kryeministri 55-vjeçar, u dërgua në spitalin “Shën Thomas” në Londër të dielën e kaluar, 10 ditë pasi kishte rezultuar pozotiv në testin për Covid-19.

Ai kaloi tre net në kujdes intensiv, nga ku doli të enjten ndërsa të shtunën e la fare spitalin.

Në një video të publikuar në Twitter, Johnson tha se u kishte mjekëve borxh jetën.

“Mirëmbrëma. Unë sot lashë spitalin pas një jave pasi mjekët më shpëtuan jetën, pa diskutim. Është e vështirë të gjej fjalët për të shprehur borxhin tim, por përpara se të dal këtu dua të falenderoj të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar për përpjekjet dhe sakrificat që keni bërë dhe po bëni” – e nis mesazhin e tij Johnson.

Në deklaratën e tij të parë, Johnson i falënderoi punonjësit e kujdesit shëndetësor që i shpëtuan jetën. Ai tha se kishte dëshmuar “guximin personal” të stafit të spitalit që ndodhet në frontin e parë në luftën me koronavirusin.

Johnson tha se dy infermierë, Jenny nga Zelanda e Re dhe Luis nga Portugalia, qëndruan pranë shtratit të tij për 48 orë me radhë gjatë kohës kritike. Ai përmendi dhe disa punonjës të tjerë të spitalit që ishin kujdesur për të e që ai donte t’i falënderonte.

Siç shkruan BBC, kryeministri britanik nuk do të rikthehet menjëherë në detyrë por do të vijojë rekuperimin nga shtëpia.

“Me këshillën e ekipit të tij mjekësor, kryeministri nuk do të kthehet menjëherë në punë. Ai dëshiron të falënderojë të gjithë në spitalin Shën Thomas, për kujdesin de shkëlqyer që ai ka marrë. Të gjitha mendimet e tij janë me ata që preken nga kjo sëmundje.”– thuhet në një deklaratë të Downing Street.

Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 737 vdekje të reja të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 10.612.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *