Vendosni fjalën kyçe....

Qentë do trajnohen të nuhasin koronavirusin


Një organizatë bamirëse në Britani thotë se mund të trajnojë qentë e saj për të identifikuar bartësit e koronavirusit.

Siç shkruan CTV, në të kaluarën organizata “Medical Detection Dogs” ka trajnuar me sukses qentë për të pikasur malarien, e sot pretendon se mund t’i trajnojë qentë e saj për të nuhatur dhe koronavirusin.

Dr.Claire Guest, psikologia që qëndron pas bamirësisë, tha se ajo është e sigurt në aftësinë e këtyre qenve për të ndihmuar në luftimin e përhapjes së virusit.

“Ne tashmë kemi stërvitur qen në të kaluarën… nuk ka absolutisht asnjë arsye pse një qen nuk mund ta zbulojë virusin”– tha Guest.

Ajo thotë: “Do të varet nga disponueshmëria e mostrave, pra sa aromë do të ketë nga virusi. Megjithatë, gjashtë javë duhet të mjaftojnë për t’i trajnuar qentë dhe për t’i nxjerrë në terren që të gjurmojnë këtë sëmundje”.

Qentë janë trajnuar me sukses për të pikasur sëmundje të tjera, si malarien dhe parkinsonin.

 “Gjatë 13 viteve të fundit, i kemi trajnuar qentë të gjurmojnë një numër sëmundjesh, ndër to kancerin e prostatës, kancerin e fshikëzës, sëmundjen e Parkinsonit dhe malarjen”, thotë Rob Harris, trajnues i qenve nuhatës.

Organizata i ka ofruar ndihmën e saj qeverisë britanike.
“Një ekip qensh mund të skanojë deri në 4,500 njerëz në ditë, mund të shquajë individët që duhet të testohen me shpejtësi dhe që duhet të rikthehen në izolim pasi janë bartës pa simptoma që e përhapin virusin kudo… Qentë mund të punojnë gjithashtu në pikat hyrëse. Pasagjerët e ardhur p.sh. me avion nga Italia e veriut do të inspektohen dhe personat që pikasen do të testohen dhe izolohen menjëherë”, thotë Dr. Guest.

Qentë kanë gjithashtu aftësinë të dallojnë ndryshimet më të vogla të temperaturës në lëkurë, pra mund të tregojnë gjithashtu nëse dikush ka temperaturë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *