Vendosni fjalën kyçe....

Të rinjtë në Durrës thyejnë karantinën dhe zihen me thika në mes të qytetit


Tre persona në Durrës kanë thyer karantinën, duke u konfliktuar mes tyre me thika.

Njëri prej tyre ka goditur me thikë dy të tjerët, të cilët ishin vëllezër.

Patrulla e policisë i ka parë të rinjtë ndërsa ziheshin dhe ka ndërhyrë për të penguar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes tyre.

Policia ka arrestuar 27-vjeçarin me inicialet E.H që mendohet se ka përdorur thikën. Dy vëllezërit ia kanë hedhur paq me lëndime të lehta, por nuk i kanë shpëtuar ndëshkimit me gjobë për shkak të thyerjes së karantinës.

Detajet e Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimeve në territor për monitorimin e zbatimit të masave shtesë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar në Sektorin Rinia, tre shtetas që kishin thyer orarin e karantinës dhe po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe prangosur njërin prej tyre, i cili gjatë konfliktit kishte përdorur një mjet prerës duke dëmtuar dy të tjerët.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë dy vëllezërit A. N., 26 vjeç dhe T. N., 30 vjeç, banues në Durrës, pa probleme për jetën.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë, të dy vëllezërit që kishin shkelur orarin e karantinës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *