Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të nënkuptohet se synon të pushojë nga puna Dr. Anthony Fauci, një anëtar i lartë i TASK FORCE së Covid-19 i ngritur nga Shtëpia e Bardhë.
Trump shpërndau një postim në Twitter nga një ish-kandidat i kongresit, i cili bëri thirrje për shkarkimin e Fauci, duke e akuzuar atë për ndryshimin e pozicionit të tij lidhur me pandeminë.
DeAnna Lorrene në postimin e saj thoshte se Fauci pretendoi se virusi “nuk përbën asnjë kërcënim” për publikun e SHBA-së më 29 shkurt. Trump dhe Fauci kohët e fundit kanë qenë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin në lidhje me kohën e marrjes së masave lidhur me koronavirusin.
Megjithëse Fauci ka kërkuar media që të mos e vënë atë përballë presidentit, ai mori pjesë në një intervistë televizive të dielën, duke thënë se Trump mund të kishte shpëtuar më shumë jetë nëse ai do i kishte dëgjuar më herët ekspertët mjekësorë.
Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, gjithashtu tha se ai “nuk mund të garantojë” se do të ishte e sigurt për të votuar fizikisht në zgjedhjet presidenciale të nëntorit për shkak të pandemisë.
Trump, i cili ka mbrojtur reagimin administratës së tij lidhur me Covid-19, ka shprehur shqetësimin për fletëvotimet me postë.