Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar zgjatjen e afateve të paraburgimit, për 6 të arrestuar lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas.
Hetimet ndaj të arrestuarve zgjaten edhe me 2 muaj e 15 ditë, për Oltion Velselin, Alkon Bengasin, Ragim Hajdinin, Renaldo Sula, Elton Pikli dhe Saimir Çela.
Vendimi u mor sot për shkak të vëllezërve Eldi dhe Klemend Çala, të cilët u arrestuan më 19 mars, teksa qëndronin në banesën e marrë me qira në Qerret të Kavajës. Ndërkohë vazhdon të jetë në kërkim Talo Çela.
Këta janë të gjithë personat e arrestuar ose vënë në kërkim, lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas më 9 prill të vitit të kaluar.
Grabitja ndodhi rreth orës 15:00, brenda në pistën e aeroportit të Rinasit, ku u morën rreth 10 milionë euro. Në grabitjen e bujshme humbi jetën Admir Murataj, i cili mendohet si organizatori.