Mesditën e sotme një i burgosur në burgun e Bënçës në Tepelenë ia ka dalë mbanë që të arratiset, por aventura e tij ka zgjatur vetëm pak minuta.
Ervis Çanka, arriti të arratisej nga burgu rreth orës 12:10 të ditës së sotme por u kap 20 minuta më vonë rreth 500 metra larg.
Çanka është arrestuar në vitin 2016 për trafik droge. Ai u ndalua në rrugën Tepelenë-Përmet dhe pas kontrollit në makinë i është kapur një sasi prej 5 kilogramësh heroinë e 10 kilogramësh kanabis.
Çanka kishte në pronësi një agjenci udhëtimesh në Përmet si dhe një restorant ndërsa asokohe rezultonte se ishte informator i SHISH-it.
Njoftimi i policisë
“Rreth orës 12:10 të ditës së sotme, shtetasi E. Ç., banues në Memaliaj, i cili vuante dënimin në IEVP Tepelenë është larguar në drejtim të fshatit Bënçë. Menjëherë është organizuar puna nga sherbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë për kapjen e këtij shtetasi. Në orën 12:30 shtetasi i mësipërm është kapur nga punonjësit e Policisë Tepelenë dhe shërbimet e IEVP Tepelenë.”, thuhet ne njoftimin e policise.”