Kryeministri Edi Rama dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Fier, Luan Baçi janë përplasur në distancë për një video të publikuar nga ky i fundit ku një qytetar i cili thotë së është kryeplak thotë se Bashkia Fier ka ndarë ndihma në mënyrë të njëanshme.
Rama reagoi ndaj videos duke e quajtur nxitje të komunitetit rom për të inskenuar shfaqjen për të gënjyer publikun.
“E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke përdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë. Çnjerëzore”-shkruan Rama.
Pas reagimit të Ramës ka reaguar edhe ish-deputeti Baçi i cili thotë se video është origjinale e dërguar nga qytetarët të panjohur për të.
Baçi e ka quajtur çnjerëzor reagimin e kryeministrit duke mohuar akuzat e tij se është një ngjarje e inskenuar.
“Në përgjigje të KM, për reagimin e tij, mbi prononcimin tim dhe videon e publikuar, para disa momenteve, në TV NEWS 24, për skandalin e përsëritur në bashkinë Fier, në shume zona.
I turpshëm, çnjerëzor, është reagimi juaj z. KM, pasi nuk jeni në gjendje, të kontrolloni situatën dhe mundoheni të mohoni dhe politizoni çdo gjë.
Video është origjinale e dërguar nga banorë që unë nuk i njoh, dhe për këtë keni edhe një prononcim të kryetarit të fshatit rom, ku e vërteton katërciperisht këtë gjë, kryetar që vetë e keni zgjedhur.
Unë nuk mund të sajoj, dhe as të organizoj, ngjarje të tilla, me qindra qytetarë që të, ankohen dhe reagojnë masivisht, jo vetëm njëherë, kujtojmë këtu edhe skandalin me të njëjta përmasa të Nj V Levan Fier, para dy ditësh, për padrejtesitë që i shikojnë me sytë e tyre dhe i ndjejnë në shpinën e tyre.
Ky reagim i juaji nuk ështe reagim prej KM”-shkruan Baçi.