Vendosni fjalën kyçe....

Rama hap thesin, 7 miliardë lekë për shqiptarët e goditur nga kriza


Kryeministri Edi Rama prezantoi mbrëmë paketën e II ekonomike, për të përballuar situatën e shkaktuar nga koronavirusi.

Rama deklaroi se mbyllja e ekonomisë pritet të zgjasë deri në fund të muajit maj, ndërsa shtoi se qeveria ka vendosur të japë një pagesë të vetme prej 40 mijë lekësh për rreth 176 mijë punonjës që kanë humbur të ardhurat për shkak të kësaj krize. E që në total i bie që qeveria të paguajë mbi 7 miliardë lekë për këtë paketë të dytë.

Pagë 40 mijë lekë për:

Përfituesit e kësaj pakete do të jenë rreth 100 mijë punonjës të biznesit të vogël, pra të bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë në vit, 66 mijë punonjës të biznesit të madh dhe rreth 10 mijë punonjës të sektorit të turizmit.

 “Për kategorinë e 100 mijë qytetarëve ku thashë përfshihen ata që janë në biznesin e vogël dhe nuk bënin pjesë në paketën e parë, 4 miliard lekë dhe çdo individi do i japim 400 dollarë drejtpërdrejt. Po kështu për ata që e kanë humbur punën 66 mijë, do të japim 2.64 mld lekë dhe edhe ata do të marrin 400 mijë lekë direkt. Jemi të vetëdijshëm për goditjen që ka marrë turizmi. Për turizmin, fasonët, dhe të gjitha prodhueset do të krijohet kapital qarkullues. Por para se të vijmë këtu, dua të shtoj se në listën e atyre që do të ndihmohen direkt janë edhe 10 mijë punonjës në sektorin e turizmit, që edhe ata do të marrin 400 mijë lekë, pra 4 milionë dollarë të tjera. Pra në total Paketa e Zgjeruar adreson nevojën për pak frymëmarrje në ekonominë familjare të 176 mijë individëve. Dhe në total 70 milionë dollarë “- deklaroi kreu i qeverisë.

150 milionë dollarë garanci sovrane për tre kategori:

Po ashtu, për sektorët e turizmit, fasonët dhe bizneset prodhuese qeveria ka vendosur një garanci sovrane prej 150 milionë dollarësh për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi.

Kryeministri Edi Rama tha se risku për garancinë sovrane do të ndahet mes qeverisë dhe bankave duke pasur parasysh nevojën e sektorëve. 

Instrumenti i ri financiar për turizmin, industrinë fason dhe bizneset prodhuese, është një tjetër garanci sovrane prej 150 milionë USD, i cili do të vihet në dispozicion por me ndarje risku mes qeverisë dhe bankave duke pasur parasysh edhe nevojën e sektorëve.  Dhe duke u kthyer tek instrumenti i mëparshëm i garancisë, ne kemi vendosur sepse mund ta bëjmë sot, nuk e bënim dot dje, gjithmonë duke parë dinamikën, duke parë mundësitë, gjithmonë duke parashikuar qëndrueshmëri për nesër sepse nëse do na thoshte dikush lufta mbaron nesër paketat do ishin ndryshe. Pra në instrumentin e parë të garancisë, ne kemi vendosur që  qeveria do të marrë përsipër koston e interesit për kreditë”.

Shtyhet pagesa e këstit të tatim fitimit:

Një tjetër lajm me rëndësi për bizneset është edhe shtyrja e tatim fitimit. Rama tha se të gjitha sipërmarrjet me përjashtim të sistemit bankar, telekomunikacionit dhe furnizimit me mall,  pagesat e kësteve të tatim fitimit do të mund ti bëjnë pas 30 shtatorit.

Ndërsa për turizmin, fasonët, call center dhe bizneset e vogla deri në 14 mln lekë në vit pagesat do të shtyhen përtej 31 dhjetorit të këtij viti, të kësteve të tatim fitimit.

“Paketa e Zgjeruar përcakton se për të gjitha sipërmarrjet me përjashtim të sistemit bankar, telekomunikacionit dhe kompanive publike si edhe kompanive të zinxhirit të furnizimit me mallra esenciale që kanë pasur një volum normal madje të rritur në këtë periudhë, pagesat e kësteve të tatim – fitimit do të mund ti bëjnë pas datës 30 shtator. Ndërsa për turizmin, fasonët, call-centerat dhe bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lek në vit ose 140 mijë dollarë, këto pagesa shtyhen përtej 31 dhjetorit të këtij viti, pagesat e kësteve të tatim fitimit. Shlyerja e pagesave do të bëhet, në mënyrë proporcionale. Kjo Paketë e Zgjeruar, do të miratohet në 48 orët në vijim dhe shumat përkatëse do të fillojnë të lëvrohen për të gjithë nga data 20 prill”. – tha Rama.

Kostoja totale prej 7 miliardë lekësh e kësaj pakete të dytë, është e barabartë me 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe i shtohet paketës së parë e cila në total ishte 23 miliardë lekë ose 1.4% e PBB-së./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *