Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron drejtuesit e mjeteve: Lëvizjet përveç punës nuk tolerohen, pavarësisht autorizimit

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve të cilët e shfrytëzojnë lejen që kanë marrë për punë, për të bërë lëvizje të tjera gjatë ditës.

Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve. Madje ai thotë se në raste të përsëritura të abuzimit do të ndëshkohen me penalitetet përkatëse.

“DURIM DHE KUJDES, ÇDO HAPJE DO TË SHOQËROHET ME TOLERANCË ZERO PËR ABUZIMET

Duke konsideruar urdhërin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.

Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.

Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse.” –shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama kujtoi se policia ka nisur monitorim edhe me dronë inteligjentë për të identifikuar personat që shkelin karantinën.

“Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19.”- thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *