Organizata Botërore e Shëndetit thotë se koronavirusi është dhjetë herë më vdekjeprurës sesa pandemia e gripit të derrit e vitit 2009 dhe do të nevojitet patjetër një vaksinë për ta ndaluar atë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë virtuale nga Gjeneva, se organizata po mësonte vazhdimisht për virusin që është përhapur në të gjithë globin.
Deri tani pandemia ka vrarë afro 115,000 njerëz dhe ka infektuar mbi 1.8 milion në të gjithë botën.
Tedros tha: “Ne e dimë se Covid-19 përhapet shpejt, dhe e dimë se është vdekjeprurës, dhjetë herë më vdekjeprurëse se pandemia e gripit të vitit 2009”.
Siç shkruan Daily Mail, koronavirusi në Britani, SHBA dhe Australi ka përparuar shumë, duke vrarë respektivisht 11,329 njerëz, 22,858 dhe 61.
Ndërkohë që gripi i derrave vrau 138 njerëz në Angli, 12 469 amerikanë dhe 191 në Australi.
Si përqindje, koronavirusi deri më tani ka vrarë rreth 6.4% të njerëzve që kanë testuar pozitiv për të, e në tre vendet e lartpërmendura ka vrarë 12 % të atyre në Britani, 0.1% në Australi dhe 4% në SHBA.
Por sipas shifrave të OBSH-së, gripi i derrave si përqindje ka vrarë vetëm 1.1% të njerëzve që u infektuan globalisht. Respektivisht në Mbretërinë e Bashkuar, shkalla e vdekjes ishte 0.03%, në SHBA ishte 0.2% dhe 0,5 % në Australi.
Gripi i derrit, i cili u shpall një pandemi në qershor të vitit 2009, doli të mos ishte aq vdekjeprurës sa mendohej. Nxituan të prodhoheshin vaksina, por perëndimi, e veçanërisht Europa dhe OBSH-ja u kritikuan se e kishin tepruar.
Kjo sepse ishte një kohë kur epidemitë vjetore të gripit vrisnin çdo vit nga 250,000 deri në 500,000 njerëz.