Vendosni fjalën kyçe....

“15 vjet burg për vrasje me virus”- Çfarë duan të miratojnë socialistët nesër


Nesër Kuvendi do të vendosë lidhur me ashpërsimet në Kodin Penal, për ata që thyejnë karantinën gjatë periudhës së pandemisë.

Por çfarë parashikohet në draftin aq shumë të përfolur të propozuar nga socialistët? Duket si në filma, por drafti parashikon ndëshkime të forta për ata që “vrasin me virus”. Dhe dënimet shkojnë madje deri në 15 vjet burg.

E nisim me radhë.

Dënimi kur nuk zbaton masat

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kur është dhënë më parë masa administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Dënimi kur thyen karantinën

Në fillim ishte propozuar nga deputetja socialiste Edlira Bode, që kushdo që thyente karantinën do dënohej me 5 vite burg, por në draftin final që do t’i shkojë për miratim të enjten Kuvendit, pas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u vendos se kush thyen karantinën dënohet nga gjobë deri me 3 vjet burg. Kjo vlen si për ata që janë bartës të virusit, edhe për ata që nuk janë bartës të virusit.

Dënimi kur përhap sëmundjen

Po ashtu është vendosur që dënimi për përhapjen e sëmundjeve infektive, të shkojë nga 2 deri në 10 vite burg. Nëse një person bartës i virusit që thyen masat e vendosura, shkakton përhapjen e virusit, dënimi parashikohet 2-5 vjet, por nëse shkakton probleme të rënda shëndetësore shkon edhe deri në 10 vite.

“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e njerëzve dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.”– thuhet në draftin e ndryshuar.

Dënimi kur vdes personi që infekton

Nëse një person shkel rregullat e distancimit social të vendosura nga qeveria duke shkaktuar përhapjen e sëmundjeve infektive, dhe personi i infektuar ndërron jetë nga sëmundja, është parashikuar një dënim deri në 15 vjet burg.

“Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”– parashikon drafti.

Ndryshime edhe për dhunën në familje

Komisioni i Ligjeve ka miratur edhe disa ndryshime në Kodin Penal për dhunën në familje. Ndryshimet në Kodin Penal, të cilat do të kalojnë në parlament më 16 prill veç dënimeve për karantinën e COVID-19, pritet të përfshijnë edhe dhunën në familje.

Në draft parashikohen dënime maksimale nga 5 deri në 10 vite për dhunë të ushtruar në familje apo në prani të fëmijëve.

“Rrahja si dhe çdo dhunë fizike, psiko emocionale ndaj personit bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues, ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi ose lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko emocional dhe ekonomik dënohet me burgim deri në pesë vite.”- parashikon drafti.

Kur bëhet fjalë për kanosjen serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, të personave të lartpërmendur, parashikohet dënim me burgim nga dy  deri në pesë vite. E në raste të plagosjes së kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme për punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim deri në pesë vite.

Këto akte dhune sipas ndryshimeve të propozuara nëse kryhen në mënyrë të përsëritur apo në prani të fëmijëve dënohen më 10 vite burg, duke dyfishuar në këtë mënyrë dënimet nga ato që janë aktualisht nga 3 në maksimumi pesë vite.

Për këto do të vendoset nesër në mbledhjen e Kuvendit, që për shkak të masave të vendosura për frenimin e përhapjes së koronavirusit, do të zhvillohet online./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *