Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka rihap sot shkollat e çerdhet, vendi i parë në Europë që e bën këtë


Danimarka ka rihapur shkollat këtë të mërkurë, pas një muaji që kanë qëndruar mbyllur për shkak të koronavirusit, duke u bërë vendi i parë në Europë që e bën këtë.

AFP shkruan se çerdhet, kopshtet dhe shkollat ​​fillore janë duke u rihapur sot, pasi ato u mbyllën në 12 mars në përpjekje për të frenuar epideminë COVID-19.

Megjithatë, mësimi po rifillon vetëm në gjysmat e komunave të Danimarkës dhe në rreth 35% të shkollave të Kopenhagës, pasi të tjerët kanë kërkuar më shumë kohë për t’u përshtatur me protokollet shëndetësore që janë akoma në vend.

Të gjitha shkollat pritet të rihapen deri më 20 prill. Në fillim të prillit, qeveria njoftoi se shkollat ​​do të rihapen “me kushtin që të gjithë të mbajnë distancën dhe të lajnë duart”.

Shkollave u kërkohet të sigurojnë që një distancë prej dy metrash të mbahet midis tavolinave në klasa dhe pushimet duhet të organizohen për grupe të vogla.

Për t’iu përmbajtur udhëzimeve, shumë shkolla favorizojnë zhvillimin e mësimit në natyrë, duke paraqitur një sfidë për shkollat ​​në zonat urbane.

Disa prindër kanë kundërshtuar rihapjen e shkollave, duke përmendur shqetësime shëndetësore. Një peticion i quajtur “Fëmija im nuk është kavie” ka mbledhur rreth 18,000 nënshkrime.

Henrik Wilhelmsen, drejtori i një shkolle në Norrebro tha se ata “presin që shumë fëmijë të mbahen në shtëpi”.

Ditën e martë, Danimarka kishte 6.691 raste të konfirmuara të koronavirusit të ri dhe 299 vdekje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *