Vendosni fjalën kyçe....

Efekti Covid-19, të ardhurat tatimore në mars bien me 19%, ose 56 milionë euro më pak; Fitimi, konsumi dhe punësimi më të goditurit


Muaji mars ka filluar të reflektojë pasojat e Covid-19 në ekonomi. Të ardhurat tatimore, që u arkëtuan në buxhetin e shtetit për periudhën janar-mars ishin 97 miliardë lekë, ose 4.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Teksa për 2 mujorin, të ardhurat ishin me tendencë rritëse (+3.7%), ka qenë marsi ai që ka kthyer përmbys ecurinë e buxhetit.

Të dhënat e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se në mars u mblodhën nga tatimet e doganat 30 miliardë lekë, nga rreth 37 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie me rreth 19%. Në vlerë absolute janë rreth 6.9 miliardë lekë (56 milionë euro), të mbledhura më pak në krahasim me marsin 2019.

Rënia më e lartë ka qenë nga tatim fitimi, të ardhurat, të ardhurat nga i cili në mars u tkurrën me 3 miliardë lekë (-40%), duke ndikuar në gati 50% të uljes së të ardhurave tatimore.

Në rënie ishte dhe TVSH (-17.6%), një tregues direkt i konsumit në ekonomi dhe që është zëri kryesor në buxhet, me rreth 30% të totalit të të ardhurave.

Në tendencë tkurrëse ishin dhe të ardhurat nga kontributet, me -10.3%, ndryshe nga vitet e fundit kur ky tregues ishte në rritje të qëndrueshme, në një sinjal që kriza e ka goditur punësimin që në muajin mars.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale ra me 15.6%.

Ecuri pozitive kishte vetëm zëri i taksave nacionale dhe të tjera, që shënoi një rritje me gati 17%.

Buxheti është shpëtuar disi në Mars nga Banka e Shqipërisë, e cila ka rritur transferimin e fitimeve tek qeveria, duke bërë që të ardhurt jo tatimore të rriten me rreth 20%. Banka e Shqipërisë transferoi rreth 1.4 miliardë lekë fitime në mars në buxhet.

Të ardhurat totale buxhetore (përfshirë ndihma dhe të ardhurat jo tatimore) në mars ishin rreth 32.7 miliardë lekë, me rënie me 16.6% në raport me marsin 2019.

Për 3 mujorin, të ardhurat totale në buxhet ishin 103.9 miliardë lekë, me një rënie prej 3.7% me bazë vjetore.

Marsi ishte muaji i parë, kur ekonomia e vendit u përball me kufizimet që erdhën si rrjedhojë e masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit të Covid-19.

Mbyllja filloi rreth datës 10 mars. Ndërsa në prill, kur pothuajse gjithçka ka qenë e mbyllur, pritet që të ardhurat të bien me ritme akoma më të larta.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *